Shqiptarët, bashkë kanë në dorë Maqedoninë
SI PËRFITON PALA SHQIPTARE NGA VIZITA E PAPËS
Nga Mentor Nazarko
Zgjedhjet presidenciale maqedonase ofruan një pamje e cila mund të interpretohet në shumë mënyra.
Rezultate të cilat mund të kënaqin apo hidhërojnë secilën prej palëve që ishin aktive në këtë proces. Garuan tre profesorë universitarë të cilët kanë historinë e tyre personale apo partiake.
Dy kandidatët maqedonas, Siljanovska dhe Pendarovski morën numër votash pothuajse të barabartë. Kandidati shqiptar, mori numër votash i cili interpretohet herë si i barabartë me atë të partive të opozitës shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Partia Besa, e ndërsa në një interpretim tjetër thuhet se ka marrë më pak.
Dhe kështu, kaluam sipas formulës kushtetuese, kodit zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, në raundin e dytë i cili do të mbahet një javë më vonë.

Rezultati ofron disa pamje por njëkohësisht krijon mundësinë e bashkëpunimit midis palëve politike të cilat do të afrohen, do të përmbushin një proces reformash në të cilat ka hyrë ky shtet delikat, i rëndësishëm, i cili gjendet në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme botërore, dhe në rëndësi strategjike për të cilën flitet prej qindra vjetësh.
Në këtë mënyrë, është e dobishme të analizohen se cilët do të ishin disa prej skenarëve të bashkëpunimit.
Është krejt e qartë se faktori shqiptar i bashkuar, mund të luajë rol përcaktues në raundin e dytë, në të cilin dy kandidatët, ndonëse ai i mbështetur nga kryeministri Zaev, ka 5000 vota më shumë, prapë se prapë, votat shqiptare, si komunitet, janë përcaktuese.
Gjithë problemi është se shqiptarët janë të përçarë në dy grupe: në një grup është një pjesë e shqiptarëve të lidhur me BDI-në, një parti që është në qeverisje; dhe një pjesë është e lidhur me opozitën, dy partitë që ishin mbrapa kandidatit të profesor Rekës, i cili është një figurë, që në fakt, në një kuptim, është mbi palët, ndonëse fushata e tij ishte e shënjuar nga një retorikë e agresive dhe kritike ndaj partisë shqiptare në pushtet të BDI-së.
Pra, është krejt e qartë se për të optimizuar dhe për të bërë sa më ndikues votën shqiptare, duhet një bashkim i kësaj vote, i cili mund të arrihet përmes një tryeze të përbashkët të partive shqiptare.
Njëlloj, këto vota shqiptarët do të duhet që t’i imponojnë jo thjesht si kushtëzim ndaj presidentit Pendarovski, por edhe ndaj kryeministrit Zaev.
Presidenti Pendarovski, ose presidentët në përgjithësi, nuk kanë kompetenca të mëdha, ndonëse Maqedonia e Veriut mund të quhet një Republikë gjysmë-Presidenciale për shkak se presidenti zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, kompetencat janë më të kufizuara se sa ato të presidentit të Kosovës, apo të presidentit të Shqipërisë, dhe në këtë kuptim një marrëveshje eventuale nuk bëhet me kandidatët presidencialë, por bëhet me aktorin më të fuqishëm që qëndron pas tij, në rastin konkret, kryeministri Zaev.
Për më shumë, kryeministri Zaev është në një situatë i cili në përmbylljen e këtij procesi të zëvendësimit të hierarkisë institucionale, praktikisht shtie në dorë dhe kontrollon gjithë institucionet më të rëndësishme të vendit fqinj, institucionet të cilat sot kontrollohen pjesërisht nga presidenti në rastin konkret, Ivanov, i cili vjen nga opozita e sotme, nga VMRO-ja apo pjesë të këtyre institucioneve të cilat gjenden njerëz të pozitës në shërbimet sekrete, apo ato të sigurisë, e të Policisë, si dhe në ushtri.
Pra, shqiptarët, të gjithë bashkë, duhet t’i ofrohen palës maqedonase, kryeministrit Zaev.
Për këto arsye, ajo parti që përfaqëson vëllain më të madh të shqiptarëve, të cilët kanë dalë nga një shtëpi, përgjithësisht nga e njëjta parti, do të duhet që BDI dhe kryetari i saj të thërrasë një tryezë të përbashkët të faktorit shqiptar.
Vëllai më i madh i fal më të vegjëlit, dhe do të duhet që të tregojë vizionin, largëpamësinë, e një lëvizjeje prej së cilës shqiptarët mund të dalin fitues.
Z. Ahmeti, do të duhet t’i afrohet atij që ishte kandidati shqiptar, z. Reka, dhe të lidhet me faktin që Kushtetuta maqedonase nuk e parashikon figurën e zv.presidentit, dhe do të duhet të bëhen ndryshime që mundësohen edhe nëpërmjet votës së opozitës, por kjo është diçka e tejkalueshme ngase bëhet pjesë e atyre shqiptare dhe të kryeministrit Zaev, apo edhe partive të tjera, pse jo dhe të opozitës në një moment të dytë.
Pra, nga kjo tryezë e përbashkët, duhet të dalë një sërë kërkesash drejtuar kryeministrit Zaev, mes të cilave dhe një vijimi, apo përmbyllja e reformave kushtetuese me sens hyrjen e një presidenti të ri në krye të shtetit maqedonas. Një reformë e tillë e cila do të parashikonte figurën e zv.presidentit, do të ishte një situatë që do të reflektonte pikërisht bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoni.
Një zv.president shqiptar i zgjedhur eventualisht sipas formulës amerikane, dhe një president maqedonas, të dy nga populli, do të jepte mesazhin e bashkëjetesës multietnike edhe gjatë fushatës.
Pra, do të ishte një lëvizje në kahun e duhur për ta përmbyllur atë reformë kushtetuese e cila nisi me ndryshimin e emrit, por që do duhet të jetë më e gjerë se sa kaq.
Një zv.President do të duhet që të kishte kompetenca që lidhen pikërisht me bashkëjetesën multietnike.
Në kushtetutën maqedonase ka një këshill i cili ka natyrë parlamentare për marrëdhëniet ndëretnike. Ky këshill do të duhet të kalonte brenda Presidencës, në mënyrë të tillë që, presidenti ka një figurë “kukull” që vetëm propozon emërimet në Këshillin Gjyqësor, Këshillin e sigurisë që jep dekorata, bëhet një figurë reale e bashkëjetesës multietnike.
Momenti që pala shqiptare ia imponon këto ndryshime palës maqedonase është tani.
Është një moment kyç, sepse kryeministri Zev ka nevojë tani për votat e shqiptarëve, më vonë, pasi të marrë Presidencën, nuk do t’i duhen aq shumë.
Kështu që, forca negociale imponuese shqiptare është pikërisht tani.
Natyrisht ka një pikëpyetje e cila lidhet me atë se: nëse shqiptarët do t’i imponojnë LSDM-së, partisë së udhëhequr nga Zaev, kushtet që do t’i favorizojë shqiptarët?
Kjo do të mund që të krijonte pikë për kandidaten tjetër, e cila po luan kartën e rikthimit të emrit të dikurshëm, pra përdor kartën e nacionalizmit maqedonas. Për këtë arsye ndoshta do të ishte e udhës që faktori shqiptar, bashkë me Shqipërinë, të valëvisnin në këtë fushatë një moment të rëndësishëm të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës me faktorin shqiptar duke përfshirë dhe Republikën e Shqipërisë, në një traktat miqësie apo partneriteti strategjik me Maqedoninë në të cilin Shqipëria do të duhet t’i ofronte Maqedonisë së Veriut lehtësira portuale, infrastrukturore, garanci e cila do ta lehtësonte faktorin maqedonas, se Shqipëria nuk ka ndërmend që ta destabilizojë këtë vend, përkundrazi ka ndërmend që të hyjë në relacion strategjik afatgjatë.
Kjo do të mundësonte, që Shqipëria të shndërrohej tani në pak ditë që kanë ngelur, në një lloj faktori propagandistik, elektoral, në fushatën maqedonase.
Kjo do të bënte që roli i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut të fuqizohej edhe më shumë, jo si një rol vëllezërish që janë grindur me njëri-tjetrin dhe tentojnë të bëjnë marrëveshje të dobëta me komshiun, por compromise të mira duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Është krejt e qartë, se kryeministri Zaev, është duke tentuar në mënyrë pragmatike që ta dobësojë faktorin shqiptar, duke preferuar që të ketë të bëjë jo me një parti si BDI-ja, por me shumë të tilla të vogla të cilat kanë sherre të mëdha me njëra-tjetrën dhe realizimi i tryezës do të bënte që Zaevi të ishte serioz në ofertën ndaj shqiptarëve. Kjo është një mundësi që krijohet jo për shkak të Presidencës, por për shkak se Zaev në rrugën e tij drejt përforcimit të autoritetit të vet brenda Maqedonisë, i duhet patjetër edhe ky institucion.
Për ta përmbyllur, kujtojmë edhe një moment tjetër, në datën 7-Maj, Maqedoninë e Veriut e viziton Papa Françesku, i cili sigurisht do të vizitojë vendin e Shën Terezës, dhe këtu faktori shqiptar do të duhet të imponohet gjithashtu që të fitojë dukshmëri në një aktivitet të tillë me rëndësi globale.
Nuk dihet çfarë është parashikuar në axhendë, por është krejt e qartë që Maqedonia e Veriut nëpërmjet kësaj vizite të Papës, fiton një rëndësi globale, dhe shqiptarët nuk duhet ta humbin rastin që të duken, t’i demonstrojnë botës, që Shën Tereza ishte dhe vinte nga kombi shqiptar.
Analiza e shoqëruar me video:


