“Taksa nuk do hiqet as në Samitin e Berlinit as në samit tjetër”

Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur në emisionin Pressing rreth Samitit në Berlin, ku do të pritet nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron. Haradinaj thotë se as atje nuk hiqet taksa, ndërsa shton se Mogherinin e kanë nxjerrë nga loja Merkel dhe Macron.

Haradinaj ka dhënë detaje nga Samiti i Berlinit që do të mbahen të hënën.

“5 deri në 7 është pjesa formale, ndërsa është një pjesë tjetër që quhet vazhdim, e që temë është Kosova. Aty nuk janë vetëm palët nga Kosova, por edhe nga rajoni. Gjatë gjithë kohës do të jenë edhe Merkel edhe Macron”, është shprehur Kryeministri.

Ndonëse Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se nuk është aq i rëndësishëm takimi në Berlin, Haradinaj ka pritje të tjera.

Ai flet për rolin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherinit, me të cilin Haradinaj ka pasur përplasje e mosmarrëveshje.

Mogherini i ka bërë shumë dëme BE-së dhe Ballkanit. Gati na ka kthyer në të kaluarën. Në vend që të ketë fokusin te tema e njohjes së Kosovës, ajo e ktheu te tema e territoreve. Nuk besoj që duhet të presim zgjidhje nga z. Mogherini” , është shprehur ai.

Kryeministri nuk pret që në Berlin të negociohet, pasi sipas tij, Kosova ka të mandatuar një tjetër ekip negociator.

Në fund, tregon se as para Merkelit dhe Marcronit nuk ndryshon qëndrimi i tij për taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake.

“Nuk hiqet taksa as në këtë samit as në ndonjë samit tjetër”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT