Thaçi nuk përgjigjet: A ju telefonoi Erdogan një natë para dëbimit të gylenistëve?
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk ka dhënë hapësirë që të diskutohet për çështjen e dëbimit të gylenesitëve para Komisionit Parlamentar që po e heton këtë çështje duke e vënë në pikëpyetje ekspertin ndërkombëtar që ishte angazhuar për ta shkruar raportin e Komisionit rreth rastit, shkruan Gazeta Express.
Në vend të pyetjeve Thaçi dhe deputetët e Komisionit janë përplasur për tema krejtësisht të tjera.
Me Anton Qunin, Thaçi është përplasur rreth çështjes së luftës. Quni i ka thënë Thaçit se është frikësuar gjatë luftës, ndërkohë që Thaçi e ka quajtur mercenar.
Me Sami Kurteshin është marrë me një çështje tjetër duke i thënë se i është zvarritur kur kishte tentuar të bëhej avokat i popullit.
Ndërkohë që gjithë kohën në krah i ka dalë kryesuesi i Komisionit Hajdar Beqa i PDK-së i cili është rreshtuar me Hashim Thçin për të fyer kolegët e tij.
Përveç Beqës të gjithë deputetët kanë thënë se Thaçi në këtë mënyrë po përpiqet t’i ikë dëshmisë, ndërkohë që Presidenti është përgjigjur se do të dëshmojë.
Megjithatë deputeti i PSD-së Frashër Krasniqi ka arritur ta shtrojë pyetjen duke e pyetur Hashim Thaçin se a kishte telefonuar Erdogani një natë para se të dëboheshin gylenistët me “thes në krye” drejt Stambollit.