A mund të ketë luftë civile në Shqipëri?
Nga Moikom Zeqo
Shqipëria është e mbërthyer nga një krizë politike.
Kemi të bëjmë me një silogjizëm formal, një mënyrë apokaliptike të të shprehurit në një paradoks të rremë, apo me një të vërtetë historike?
A është kriza reale apo një krizë e stimuluar artificialisht?
Është një krizë reale dhe krejt e vërtetë politike, por edhe ekonomike edhe kulturore, madje edhe ekzistenciale.
Jo vetëm Shqipëria e përjeton krizën por kriza është kudo edhe në Europë madje edhe në botë.
Por le të përqendrohemi tek kriza jonë
1-Muzeu Grotesk i Marrëzive Shqiptare
Asnjëherë nuk ka ndodhur që opozita politike, e cila është një subjekt kushtetues, të shkatërrojë dhe të heqë dorë nga atributi i saj juridik i statusit të deputetëve të zgjedhur nga votimet politike të elektorateve përkatëse, ta shkatërrojë statusin juridik në emër të politikës, e cila duhet të krijojë juridicitet të shëndetshëm, logjik dhe jo të kundërtën.
Në Muzeun Grotesk të Marrëzive Shqiptare ky veprim antijuridik i ish-partive opozitare ,të cilat largohen vullnetarisht nga Kuvendi, madje heqin dorë dhe nga imuniteti parlamentar, për të bërë një përmbysje, a një revolucion politik, mund të klasifikohet si çudia më e madhe.
Kuptimshmëria e një veprimi të tillë in-extremis do të ishte e plotë nëse vërtetë do të kishte një identifikim në tërë popullin shqiptar, për të bërë vërtetë një përmbysje, qoftë dhe një revolucion.
Por veprimi i PD dhe LSI-së nuk ka gjetur miratim as nga ndërkombëtarët dhe ata luajnë me dy ide të cilat i largohen së Vërtetës: ideja e parë është ajo e identifikimit të PD dhe LSI me tërë popullin në përgjithësi, pra vetëquhen si zëdhënës masivë dhe autentikë të popullit.
Kjo bën që spektaklet e tyre politike të stimulohen nga pikëpamja propagandistike si një veprim i organizuar i përmbysjes popullore të sistemit politik të deritanishëm.
PD dhe LSI vërtetë kanë dalë “vullnetarisht” nga ky sistem, por kjo nuk do të thotë aspak se ata janë populli.
Ideja e dytë propagandistike ka të bëjë me premtimet që PD dhe LSI bëjnë në mitingjet e tyre të alambikuara përherë në formën e spektakleve, se të paktën në datën 11 maj 2019 revolta popullore do të ndryshojë gjithçka. Kemi të bëjmë me një Ëndërr Fantazmagorike Ndryshimi. Vështirë se ndodh ose do të ndodhë një gjë e tillë.
Edhe në vitin 2017 kreu i PD-së Lulëzim Basha, duke përdorur simbolin e “çadrës së Lirisë ” premtoi një “Republikë të Re”, por pa e sqaruar asnjëherë këtë metaforë abstrakte në detaje të një realiteti konkret.
Por dua të ndalem tek një ide e mbrapshtë ndonëse dhe e paperceptueshme dot. E kam fjalën për idenë e të ashtuquajturit “konflikt civil”, që nuk ka të bëjë dhe nuk është identike me atë që njihet si koncepti “i mosbindjes civile”.
Ç’kërkon kjo tezë ogurzezë e “konfliktit civil”? Ç’ do të thotë realisht një “konflikt civil”?
Nuk kemi të bëjmë me një konflikt politik sado i ashpër dhe i tmerrshëm të jetë , por kemi të bëjmë me “konfliktin civil”, që as më pak e as më shumë është një metaforë e “luftës civile”.
Por a mund të ketë një “luftë civile” në Shqipëri në vitin 2019? Një absurditet i pafundmë dhe një qesharakësi e infinitshme! Ide të tilla kërcënuese dhe luftarake janë të denja për distopinë e Oruellit.
Ka të drejtë sociologu i madh Zygmunt Bauman, i cili i quan dispotitë e tilla, dispoti të modernitetit të lëngët, ku konceptet dhe nocionet politike humbasin qëndrueshmërinë e kuptimeve të veta tradicionale, për t’u futur konceptet tek njëri-tjetri, sipas një paradoksi, jashtë historisë.
Më e rrezikshme nga të gjithë idetë në politikë është ajo e “konfliktit civil”. 2019-a është një përsëritje e 2017-s së ashtuquajturës “çadra e Lirisë” por me një ndryshim: nëse në 2017 opozita i kishte ende mandatet juridike, 2 vjet më vonë në 2019 opozita i ka hedhur tutje mandatet e saj dhe kërkon të bëjë gjëra të cilat është e pamundur t’i mbajë në shpatullat dhe në veprimet kundërshtuese.
Në këtë rast duhen përsëritur vargjet e Horacit: “Parturient montes, nasetu ridiciulous”, që në njëfarë mënyre mund të shqipërohen si” Malet pollën një mi, pra diçka qesharake”.
2-A do bëhen zgjedhjet lokale dhe ç’do ndodhë pas tyre?
Po afron data e zgjedhjeve vendore në të gjithë Shqipërinë. Kjo është një datë e dekretuar nga Presidenti dhe i përket kalendarit normal të Kushtetutës.
Këto zgjedhje janë të një niveli të ndryshëm nga zgjedhjet e përgjithshme politike. Zgjedhjet vendore përcaktojnë administratën vendore. Ky është një ndryshim krejt i lexueshëm në raport me zgjedhjet e Përgjithshme politike që përcaktojnë raportet të përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Shqipërisë, pra shumic ën dhe opoziten, pra dhe Qeverinë, Kryeministrin si atribute të këtyre raporteve përcaktuese.
Dihet që ne jemi një Republikë Parlamentare dhe kjo lidhet substancialisht pikërisht me Kuvendin, që është pikërisht Parlamenti.
Është një marrëzi gjithashtu e pafalshme që opozita që i ka hedhur tej mandatet e deputetëve dhe që nuk e ka bërë një gjë të tillë për të hedhur poshtë dhe mandatet e kryebashkiakëve, refuzon papritur që të marrë pjesë në Zgjedhjet Administrative. Nuk ka asnjë lloj sensi të semantikës politike dhe asnjë justifikim, sado i sofistikuar për të braktisur procesin e zgjedhjeve vendore.
Unë mendoj që këto zgjedhje normalisht do të zhvillohen. Natyrisht nuk më tingëllon mirë dhe më duket e tepruar thënia e Kryeministrit se PS do t’i fitojë të gjitha bashkitë pa përjashtim. Kemi të bëjmë më një plotësim tërësor të metaforës vulgare të krejt tepsisë së pushtetit.
Një gjë e tillë është vetëm një dëmtim politik dhe një lloj “superioriteti” monopartiak në një etapë tjetër historike kur është i domosdoshëm, ku realiteti jo vetëm në Kuvendin e Shqipërisë ,por dhe në Sistemin e Bashkive dhe të Komunave të krejt Shqipërisë.
Çfarë do të ndodhë mbas kryerjes së procesit të zgjedhjeve vendore?
Nuk më pëlqen të jem asnjë lloj profeti, madje mund të themi si Karl Popperi, se profecitë në politikë janë si veprimet e prestigjiatorëve në cirk, kanë atributin e mrekullive të fshehta dhe të befta.
Por mendoj se ka ardhur një fazë e tillë që klasa parapolitike shqiptare qoftë qeverisësit ashtu edhe opozitarët do të pësojnë një rënie të madhe morale në popull dhe do të kemi dukurinë që e kam quajtur “vdekja e bardhë e partive”.
Kjo do të thotë që partitë tradicionale si PD dhe LSI (mos harrojmë që së bashku këto dy parti kanë qeverisur Shqipërinë me një mandat 4-vjeçar) do të ndodhen në zgribin e zhbërjes dhe të humbjes së tyre.
Ne jemi dëshmitarë, se si shumë parti politike te vogla shqiptare nuk kanë mbijetuar dot në këto 30 vjet. Pra kanë pësuar vdekjen e bardhë politike, të pashmangëshme.
Ndoshta (është një mënyre jo absolute të shprehuri) edhe parti të tilla si PD dhe LSI do të shkojnë drejt një fundi të tillë sipas parimit kauzal “korr atë që ke mbjelle”.
Natyrisht që nuk ia uroj askujt këtë “vdekje të bardhë” të partive .
3-Antifashizmi dje dhe sot, Babë Myslymi dhe Berisha
Zhurma propagandistike kundër Antifashizmit Shqiptar, për ta kriminalizuar dhe për ta skualifikuar nga një vlerë madhore historike në një antivlerë të neveritshme, nuk është shkencore, por bëhet nga instrumente të stimuluara, jo nga e Vërteta Historike, por nga e kundërta e së Vërtetës Historike .
Është e pamundur që të mohohet dhe të anatemohet Antifashizmi Shqiptar, siç është krejt e pamundur të shpërbëhet dhe të rrëzohet Antifashizmi Botëror i shek XX.
Antifashizmi Shqiptar është në substancën e Antifashizmit Botëror. Shkatërrimi i njërit është dhe do të ishte dhe shkatërrimi i tjetrit dhe e kundërta. Antifashizmi Shqiptar është i pazhbëshën dot sa edhe Antifashizmi Botëror.
Në datën 1 maj të këtij viti isha në Pezë, me rastin e 120 vjetorit të lindjes të Heroit të Popullit Myslim Peza. Pikërisht ky Myslim Peza, që të kujton një Panxho Vila shqiptar, krijoi qendrën rezistuese dhe Cetën e Parë Antifashiste në Europë.
Ai është gjithashtu një faktor i ideimit dhe sendërtimit të Konferencës së Pezës, ku morën pjesë dhe figura të tjera popullore si Haxhi Lleshi dhe Baba Faja Martaneshi, për të formuar Frontin Nacional Çlirimtar.
I mbaj mend shumë mirë ditët e para të majit 1992, kur Sali Berisha në atë kohë President, me një egërsi të pashoqe dhe fashistoide urdhëroi të zhvarroseshin nga Varrezat e Dëshmorëve eshtrat e shume heronjve dhe komandantët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Midis tyre u zhvarrosën dhe eshtrat e Babë Myslimit. Sokol Peza, nipi i Baba Myslimit e mori arkivolin me eshtrat për ta varrosur me një ceremoni të thjeshtë pranë shtëpisë së Babë Myslimit.
Në atë kohë unë isha deputet i PS në Kuvend dhe së bashku me deputetin tjetër Sabit Brokaj qemë të vetmit nga deputetët ,që morëm pjesë në këtë ceremoni të varrimit të eshtrave, ku u mblodh i tërë populli i Pezës.
E kujtoj këtë ngjarje për të treguar se ajo që bëri Berisha në 1992 është një gjë më vulgare, më e egër se sa botimi i librave pseudo-historikë, pa asnjë vlerë, për të treguar gjoja se Antifashizmi Shqiptar paska qenë një luftë civile.
Shikoni se sa shumë ngjajnë nocionet e përdoruara në kohë të ndryshme. A nuk hasin dhe sot pasuesit, dishepujt e zombizuar , madje edhe të viktimizuar të Berishës, të cilët bënë pikërisht vitin 1997 të kobshëm , si dhe tani në 2019 , atë që s’duhet të bënin, pra harikirin e pakuptimtë, me gjestin në dorëzimin e mandateve të deputetëve ,për të folur në kor për “konfliktin civil”, që nuk qenka gjë tjetër, veçse ëndrra revolucionare e Luftës Civile në Edicionin e Ri.
Antifashizmi Shqiptar është historia më e lavdishme e popullit dhe e kombit tonë në shek e XX. Antifashizmi është një shpikje dhe një Kulturë e Re e Njerëzimit në Luftën e Dytë Botërore. Në Luftën e Parë Botërore nuk ka Antifashizëm.
Antifashizmi qe një Apel Madhor i Arsyes së Njerëzimit, për të krijuar një Aleancë, më të madhen në kohëra, gjatë njëzet shekujve, Aleancën midis SHBA-së, Anglisë dhe BS, për të luftuar, për të rezistuar ndaj Apokalipsit Nazifashist.
Pikërisht këto ishin kushtet historike, kur shqiptarët morën pjesë më dinjitet në Aleancën Antifashiste të Aleatëve të Mëdhenj dhe luftuan kundër dy pushtimeve të njëpasnjëshme, kundër fashizmit italian dhe nazifashistëve gjermanë.
Dihet që në kushtet e një pushtimi , nuk bëhet fjalë juridikisht për një luftë civile, nuk ka luftë civile, një luftë e tillë ndodh në vende të papushtuara, por ka luftë populli ndeshet dhe me bashkëpunëtorët vendas të pushtuesve.
Kaq logjike dhe e vërtetë është kjo tezë, sa në Itali Antifashistët italianë luftuan kundër fashistëve italianë dhe në historiografi kjo nuk quhet aspak luftë civile.
Po marrë dhe një shembull të dytë Francën. Antifashizmi Francez, partizanët francezë , të udhëhequr nga Partia Komuniste franceze mbajtën njëpeshë të madhe të luftës, përpara se sa të hynte në Francë edhe gjenerali De Gol. Antifashistët Francezë u persekutuan u burgosën dhe u vranë nga Qeveria Kolaboracioniste e gjeneralit Pëten, e njohur si Qeveria e Vishisë.
Pastaj lufta vazhdoi, jo vetëm kundër pushtuesve gjermanë ,por dhe ndaj tradhtarëve ,siç i quante me të drejtë dhe realisht Gjenerali antifashist De Gol, i cili kur Franca u çlirua bëri një dënim shembullor të kolaboracionistëve francezë, duke dënuar dhe vetë me vdekje Pëtenin, si dhe disa nga ministrat e njohur të Pëtenit, që ishin dhe intelektualë me shume emër. Por askush në historiografi këtë periudhë të Francës si luftë civile.
Në rastin e Shqipërisë në gazetat naziste “Tomorr i Vogël” dhe “Tomorri” gjatë okupacionit nazist gjerman shtjelloheshin artikuj me teza, që i konsideronin partizanet antifashistë si “vrasës”, madje e quanin në luftën e tyre si një luftë civile prej edhe “sllavo-komunizmit”, term ky shumë i çuditshëm dhe tepër propagandistik për kohën.
Duhet të mos harrojmë se Rusvelti dhe Çëçilli fare lehtë mund të akuzoheshin me plotë gojën, se bën aleancë me “sllavo komunizmin” dhe më kë, me vetë Stalinin.
Por ne nuk do të kishim një Antifashizëm Botëror pa këtë Aleancë, e cila kishte qëllim shumë të qartë të çlirimit nga fatkeqësia historike dhe Murtaja Katastrofale e Nazifashizmit.
4- Kryeministri, 75 vjetori i Çlirimit dhe Mit’hati
Viti 2019 është viti i 75 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Pra një përvjetor shumë i rëndësishëm. Të mos harrojmë që data 29 nëntor 1944, që njihet si Çlirimi i Shqipërisë nga Nazifashizmi është një nga datat kryesore, që së bashku me 28 nëntorin 1912, janë të përcaktuara në Kushtetutën e Shqipërisë.
Si ka mundësi, që pikërisht të mos festohet 75-vjetori i Çlirimit, i njohur dhe i konfirmuar dhe kushtetutshmërisht? Deri më sot nga Qeveria Shqiptare dhe nga Kryeministri Rama nuk është bërë Programi i respektimit ceremonial shtetëror të këtij 75 vjetori, në një kohë që gjithë bota e qytetëruar i nderon datat e Çlirimit të vendeve të tyre nga pushtimet e huaja dhe Epopeja e Antifashizmit te Luftës së Dytë Botërore është krenaria e palëkundur e historisë moderne të SHBA dhe Anglisë etj.
Si ka mundësi të mbivlerësohet, të rivarroset me nderime shtetërore Mit’hat Frashëri, në një kohë ,që qëllimisht nuk nderohen antifashistët shqiptarë?
Me të drejtë historiani i njohur Paskal Milo e quajti rastin e Mit’hat Frashërit, të apologjizuar nga ana e Ramës, si një “hipotekim të një gabimi historik”.
Të kuptohemi: Nuk është se figura historike e Mit’hat Frashërit nuk duhet studiuar, duhet studiuar patjetër, por si Kryetar i Ballit Kombëtar, ai gaboi historikisht, në mënyrë fatale dhe qe në anën e kundërt të Historisë, si dhe qe një përgjegjës i gabuar, si tërë kolaboracionistët e tjerë në Europë.
Si kulturolog i njohur , me emër gjatë viteve,| studiuesit le të flasin, nuk i ndalon askush, për vlerat e Lumo Skëndos, që është emri i tij letrar.
Por në historinë e Antifashizmit të shek XX, Luftës së Dytë Botërore, Mit’hat Frashëri nuk është Heroi, por Antiheroi, sic del kaq qartë dhe nga dokumetat angleze, nga dokumentat gjermane si dhe greke madje dhe italiane.
Dhe me të drejtë historiani amerikan i sotëm dhe tejet serioz Bernd Fisher , që ka bërë një libër shkencor të mirëfilltë për vitet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri , e quan Mit’hat Frashërin të pariabilitueshëm dot.
Pra, asnjë person , qoftë dhe Kryeministri nuk mund ta transcedentojë dot asgjë ,përtej çdo subjektiviteti, qoftë të Vërtetën, qoftë ngjarjet , apo figurat në Histori. Sejcili mund të pyesë pse një gjë kaq e thjeshtë bëhet kaq e ndërlikuar? Pse ringjallen këto teza të mbrapshta në ditët e sotme, tashmë ,që kemi të bëjmë me një pseudo debat, që kronologjikisht nis që në 1943- 1944, pikërisht në fletoret e gazetat fashiste?
Dhe ringjallet në vitin 2019! Por a është i rastësishëm ky pseudo debat?
Pse nisi edhe vitin e kaluar pseudo debati denigrues për Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe figurën e tij në histori?
Këto pseudo debate, duke përfshirë edhe të ashtuquajturën tezë marramendëse “të luftës civile” të sotme, nuk janë gjë tjetër veçse një formë e banalitetit barok propagandistik dhe e një luftë politike mediokre, që nuk ka të bëjë aspak me një qytetërim politik, apo me klasën politike, të ndërgjegjshme me synime strategjike te Zhvillimit të vendit, të Prosperitetit, te Emancipimit dhe të kauzës substanciale te Integrimit Demokratik Europian.
Është e mjerueshme të dëgjosh ,se si bëhen pseudo debatet vulgare, përplasëse, me batuta me ironi dhe mburravecllëqe midis politikanëve kryesorë edhe të dy shteteve shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë .
Nuk ngurohet aspak, që midis Kryeministrit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë të bëhen pseudo replika , sipas grindjeve me stilin “grarishte”. Pse ndodh një gjë e tillë kur politikanët kryesorë, për hir të ideve madhore dhe ekzistenciale të kombit, duhet të kenë edhe “frena mendorë për fjalët”, pra, vetëpërmbajtje dhe jo vetëm një diversitet te kotë dhe të kushtueshëm , por më tepër të sintetizohen patjetër në qëndrime unifikuese, mirëkuptuese për të Ardhmen.
5-Sindroma e Humbjes së Shpresës dhe Historia që klith: “Lexomëni”!
Për 30 vjet rresht përfaqësimi politik në Shqipëri është bërë më banal , më i papranueshëm, kjo ka krijuar një klimë zhgënjyese popullore. Absurdizimi propagandistik i të ashtuquajturit “pozitivitet qeverisës, vetëm suksesiv, triumfalist, por edhe “negativizmi absolut i çdo gjëje, si një triumf i zi i së keqes”, ka bërë që ndërgjegjja qytetare në Shqipëri të ketë shumë plasaritje, plot zhgënjime dhe dilema ekzistenciale , të krijohet sindroma e humbjes së Shpresës, si dhe një ankth ulëritës, për të ikur refugjatë, kryesisht në pjesën më aktive të shoqërisë , që janë të rinjtë dhe të rejat, duke ndikuar kështu edhe shpopullimin e Shqipërisë.
Por Triumfalizmi i Politikës i ngjan një Spektakli të Dështuar. Më kujtohet një shprehje e famshme e gjeniut amerikan, mendimtarit Ralph Emerson, i cili këtë situatë kërcënuese e metaforizonte me shprehjen “të luash patina mbi akullin e hollë”.
A nuk luajnë kështu të ashtuquajturit politikanët tanë? Dhe pse kjo kosto e madhe historike që na bënë ne një popull përherë të vonuar, në të gjitha proceset, që përbëjnë lëvizjet stimulante drejt së Ardhmes?
Nëse është i vërtet konstatimi ,se “mbi 1 milion shqiptar nuk kanë lexuar asnjë libër” (unë vetë kurrsesi nuk dua ta besojë deri në fund këtë gjë), atëherë pse flasim se ky tranzicion 30 vjeçar paska pasur një sukses të tillë dhe ka shkëlqyer “edhe në bërjen e shtetit”, ose më saktë “në ribërjen e shtetit”, gjë që vërehet fare mirë që nuk është as virtualisht ashtu?
Shqiptarët duan të dëgjojnë dhe ta njohin deri në fund të Vërtetën. Edhe të menduarit historik është në substancën e së Vërtetës, jo Relativizmi Absurd i propagandave, që përplasen.
Nga ana tjetër etapat madhore të Historisë, siç është Antifashizmi Shqiptar në shekullin e XX ,duhet respektuar, ashtu siç thotë dhe historiani i madh Eric Habesbaun, që e quan Antifashizmin si formën e Epërme te Modernitetit Demokratik.
Historia është ajo që ka ndodhur, jo ajo që mund të ndodhte, por që nuk ndodhi. Natyrisht edhe Historia përsëritet. Historia duhet ta mësojë në mënyrë që të ecim drejt së Ardhmes , por jo të përsërisë e Tashmja situata të tilla, që lidhen me luftërat civile të rreme, që në përgjithësi populli shqiptar nuk i njeh gjatë gjithë historisë së tij (natyrisht në histori ka dhe eksese , te cilat nuk duhen mohuar) se me të drejtë Xhambatisto Viko thotë, se Historia edhe përsëritet , njëherë si tragjedi dhe herën e dytë si komedi.
Të ashtuquajturit politikanë, apo dhe skota laramane dhe delirante prej opinionistësh dhe analistësh të mediave luajnë gjithashtu një Spektakël Ciklik dhe të pa ndërprerë. Për këta Brahmanë të Opinionit Publik, duhen thënë fjalët e famshme kur mbarojnë komeditë “Plaudite cives !”. d.m.th “Duartrokitni qytetarë !”.
Vetë-vetiu çdo njeri bënë pyetjen, sa do të vazhdojë akoma një situatë e tillë hibride dhe ambiguide në historinë konvencionalisht e kemi quajtur tranzicion?
Askush nuk mund t’i japë një përgjigje të saktë dhe mbushamendëse, pra një përgjigje finalizuese dhe përfundimtare. Nuk mund të ketë të Ardhme të Shqipërisë pa një emancipim politik të gjithanshëm.
Një formë e emancipimit politik është dhe Kultura dhe Dituria, kurse Injoranca, Tribalizmi, Provinacionalizmi janë atutë e të kundërtës së Emancipimit, pra e një Politike të Vonuar Retrogade në mënyrë të frikshme.
Të mos harrojmë se ne shqiptarët e bëjmë Historinë, por jo jashtë Historisë Europiane dhe Botërore. Askush nuk mund të na shfajësojë, ose të na justifikojë. “Historia lacuta est causa finita est!“, pra “Historia ka folur, çështja ka përfunduar!”. Këtë duhet ta kuptojnë jo vetëm politikanët, por sidomos populli, që i voton ata.
Por si mund të rezultojë i suksesshëm votimi popullor, kur ende asnjë nga politikanët seriozë nuk flet për anulimin e ndryshimeve të kobshme kushtetuese te vitit 2008?
Pse kryetarët e partive nuk e ngrenë zërin për të bërë një kapërcim të Rubikonit, për një demokratizim të votimit ,për të krijuar dhe parti të reja, por dhe një Elitë të Re politikanësh, për të qenë vetë Politika dhe veprimet e saj më të suksesshme?
Sistemi i Vjetër Politik dhe partitë tradicionale nuk ka gjasa se shpëtojnë dot , nga kjo krizë e vazhdueshme , që vijon prej gati çerek shekulli , që i ka sfilitur të tërë.
Historia klith “Lexomëni!” Po kush e lexon, pa syzet deformuese partiake?
*****
Botuar sot në Dita