Brovina kërkon falje publike: Ndoshta fotoja është e falsifikuar
Policia e Kosovës ka intervistuar deputeten e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, në lidhje me fotografinë e publikuar dje që sipas saj dëshmon dhunimin e një gruaje 35 vjeçare nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë.
Deputetja Flora Brovina, tha se fotoja ndoshta është një dokument i falsifikuar dhe ajo nuk e ka ditur se është e tillë, pasi për shumë vite e ruante atë.
“Dokumentin e kam nga viti 2003. Saktësinë e dokumentit (foton), do ta vërtetojnë organet e shtetit të Kosovës”, tha ajo në një prononcim për gazetarët, raporton RTKlive.
“Më lejoni grave të dhunuara t’u kërkoj falje e familjeve të tyre për shqetësimin që ju kam sjellë në këtë foto. Organet e shtetit po merren me këtë foto. Është një dokument ndoshta i falsifikuar që është keqpërdorur shumë kohë më herët, ndoshta në 2003 kur më është dorëzuar si kryetare e komisionit për personat e zhdukur nga një aktivist i këshillit të të drejtave të njeriut“.
Brovina u ka kërkuar falje të gjithëve që janë ndjerë të shqetësuar pas publikimit të fotos që ajo bëri dje në Kuvendin e Kosovës dhe që ngjalli reagime të shumta në publik.
“Përgjigjen më të mirë do ta japë Prokuroria e Shtetit të Kosovës”, tha ajo.
Sipas Brovinës, kryetari i PDK-së, njëherit kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nuk e ka ditur rastin e fotos.
Për dorëheqjen e saj nga posti i deputetes, Brovina vlerësoi se është e gatshme të marrë çdo veprim që është në interes të Kosovës.