Daçiç: Po punoj që asnjë vend të mos njohë Kosovën
Ivica Daçiç deklaroi se puna e tij është që të sigurojë se asnjë vend tjetër të mos e njohë Kosovën.
Kreu i diplomacisë serbe e bëri këtë deklaratë për Radio-Televizionin e Serbisë.
“Do të shkoj kudo sepse kjo është puna ime” tha Daçiç.
Sipas Ministrit të Jashtëm serb, politika e jashtme e Serbisë ka qenë e suksesshme në lidhje me këtë çështje duke bindur disa shtete që ta tërheqin njohjen. Megjithatë ai shtoi një gjë e tillë nuk shihet me sy të mirë nga disa vende perëndimore.
Daçiç foli edhe për vizitën e tij të fundit në Afrikë. Sipas tij kjo ishte një vizitë e suksesshme pasi ka biseduar me shtatë vende në lidhje me çështjen e Kosovës. Për të Afrika është e rëndësishme pasi ka 53 anëtarë në OKB.
Për Daçiç, integrimi i Serbisë në BE është shumë i rëndësishëm por nga ana tjetër integriteti territorial i Beogradit duhet ruajtur pasi përbën një interes strategjik thelbësor për shtetin.
Sipas të dhënave zyrtare, pavarësia e Kosovës është njohur nga 116 vende të botës.
Në mesin e tyre janë edhe 13 shtete, për të cilat autoritetet e Serbisë pretendojnë se e kanë tërhequr njohjen.