Haradinaj: Heqja e bisedimeve nga duart e Mogherinit largon idetë për ndarje të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të martën se largimi i bisedimeve Kosovë-Serbi nga duart e shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini, është veprim i duhur për ta mbrojtur Kosovën nga ndarja e saj.
Ai tha të martën pas mbledhjes së qeverisë, se idetë për ndarjen e Kosovës kanë bërë që nivele të larta të Bashkimit Evropian ta zhvendosin procesin e bisedimeve në takimin e muajit të kaluar në Berlin dhe në takimin e Parisit që pritet të zhvillohet në muajin korrik.
“Mogherini tha në Tiranë hiqeni taksën dhe do t’ua ndaj Kosovën menjëherë, i ra ashtu, sepse tha, sapo ta hiqni taksën do ta thërras takimin. Faleminderit Zotit që kemi qëlluar disa në vend që t’i shohim këto projekte me kohë, nuk hiqet taksa.
Mogherini e ka përfunduar mandatin e vet. Evropianët janë ata që ja japin rrogën Mogherinit sepse ata e paguajnë, është zyrtare e tyre, ata ja kanë larguar një herë këtë agjendë dhe na kanë bërë nder të madh si Kosovë, i falënderojmë shumë pastaj e vlerësojnë vet si të shkohet më tutje” tha Haradinaj.
Megjithatë, ai tha se këto takime nuk e përjashtojnë rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, duke hedhur poshtë idetë që vijnë nga Serbia për mundësinë e përfshirjes së Rusisë.