‘Ideja për korrigjim është zbehur, por është e gjallë’

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të shtunën përsëri ka përmendur idenë e tij për ndryshim të kufijve, por këtë herë me një diskurs më të zbutur. Ai në Has të Shqipërisë ka thënë se do ta bëjë të pamundurën që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten Kosovës, por pa i dhënë asnjë milimetër territor Serbisë, shkruan gazeta “Zëri”.

Presidenti Hashim Thaçi ka vendosur përsëri ta risjellë në diskutim idenë e tij për ndryshim të kufijve. Një opsion të tillë ai e ripërmendi të shtunën në një ceremoni të mbajtur në Has të Shqipërisë, teksa theksoi se do ta bëjë të pamundurën që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten Kosovës, mirëpo pa i dhënë asnjë milimetër territor shtetit serb.

“Ju e dini botërisht dhe e ritheksoj edhe sot këtu në mesin e burrave të Hasit dhe të grave zotimin tim dhe përkushtimin tim jetësor që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës pa u cenuar asnjë milimetër e territorit të Republikës së Kosovës, as ‘Trepça’, as Ujmani, as Mitrovica, asnjë cep i territorit të Kosovës si parakusht për bashkim kombëtar”, ka deklaruar presidenti të shtunën në Has.

Idenë për ndryshim të kufijve tashmë e kanë kundërshtuar shumica e partive parlamentare në Kosovë, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, si dhe pjesëtarë të ish-partisë së presidentit Thaçi, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Ndërkohë sipas përfaqësuesve të partive opozitare deklarata të tilla të presidentit Thaçi nënkuptojnë se ai po vazhdon të jetë “argat” i projektit të Serbisë për ndarjen e Kosovës. Në anën tjetër njohës të çështjeve politike vlerësojnë se ideja e presidentit Thaçi për ndryshim të kufijve, e cila është zbehur kohëve të fundit për shkak të mungesës së përkrahjes së kësaj ideje brenda Kosovës, do të rikthehet në tavolinë sapo të gjendet momenti i duhur.

Ideja e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për korrigjim të kufijve ndonëse është zbehur kohëve të fundit, një skenar i tillë vazhdon të jetë në tavolinën e të dyja palëve, kosovare dhe asaj serbe. Kështu ka vlerësuar Violeta Haxholli, nga KDI-ja, e cila për “Zërin” ka theksuar se kjo ide mund të rikthehet në tavolinë sapo të shfaqen propozime të reja për zgjidhjen finale Kosovë – Serbi.

“Edhe pse ideja për korrigjim të kufijve është zbehur për shkak të mungesës së përkrahjes brenda Kosovës dhe një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, besoj se kjo ide nuk është përjashtuar krejtësisht si njëra nga opsionet potenciale për marrëveshjen finale Kosovë – Serbi. Kjo ide do të rikthehet sërish në rast se propozime të tjera për zgjidhjen finale nga bashkësia ndërkombëtare do të jenë zgjerimi i të drejtave për serbët në Kosovë, gjegjësisht kompetencat autonome për serbët qoftë në veri ose përmes Asociacionit me kompetenca ekzekutive”, ka thënë Haxholli.

Rrjedhimit nëse sillen propozime të reja për marrëveshjen finale ajo vlerëson se në vend do të ketë një polarizim të spektrit politik lidhur me zgjedhjen e një opsioni më pak të dëmshëm për Kosovën.

“Në rast se këto ide hidhen si propozime për zgjidhjen finale nga kushdo në dialog do të shohim pastaj një garë mes këtyre ideve dhe të idesë për korrigjim të kufijve, gjë që do të çojë në polarizim të spektrit politik dhe të opinionit publik në Kosovë lidhur me atë se cila nga këto propozime është më pak e dëmshme për Kosovën”, ka shtuar ajo. Mirëpo Kosova sipas Haxhollit, në fund nuk duhet ta pranojë asnjërën prej këtyre opsioneve meqenëse deri më tani Kosova ka bërë mjaft kompromise ndaj Serbisë./ZERI

Back to top button
LAJMET E FUNDIT