Korab-Koritnik, shenjohen shtigjet në Parkun Kombëtar
Bukuria e rrallë e parkut kombëtar Korab-Koritnik, në Kukës, po josh çdo ditë dhe më shumë turistë vendas dhe të huaj që pëlqejnë natyrën e virgjër, sportet dimërore dhe alpinizmin.
I cilësuar si një nga zonat më të bukura që ka rajoni i Kukësit dhe veriu i Shqipërisë, ky park shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit dhe në të mund të gjesh gjithë bukurinë natyrore dhe peizazhet e mrekullueshme.
Në prag të fillimit të sezonit turistik nga specialistët e Administratës së Zonave të Mbrojtura Kukës po punohet për shenjimin e shtigjeve në këtë park.
Sipas ADZM Kukës, shenjimi i shtigjeve i vjen në ndihmë vizitorëve vendas e të huaj që ngjiten në këtë park.
“Në këtë mënyrë shtigjet i kanë të gjitha sinjalizimet e nevojshme që të ndiqet lehtësisht nga kushdo”, thekson ADZM, Kukës.
Parku natyror Korab-Koritnik përshkohet nga një rrjet i dendur hidrik i liqeneve dhe përrenjve, të cilët derdhen në degët e Drinit. Për shkak të karakterit gërryes në basenet e lumenjve dhe përrenjve në zonë janë krijuar lugina e kanione si Gryka e Vanajve, Kanioni i Bicajve, luginat e Lumës, Bushtricës, Veleshicës dhe Gramës.
Ky park ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri).
Maja emalit të Korabit, më i larti në Shqipëri ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës. Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar ]do detaj të turizmit malor, dimër dhe verë.
Vende si Kalaja e Dodës me malin e Korabit në lindje, bjeshkët e Ilnicës, Radishti, Zagradi, Popinara, Kërçishti i Sipërm e shumë fshatra të tjerë malorë janë atraksione që tërhoqën vizitorët.




