Kur nga Varrezat e Dëshmorëve hiqet Qemali dhe vihet Hajdari

Nga Bedri Islami (Opinioni i gjithsecilit eshte personal dhe jo qendrimi i redaksise sone)

Kur e dëgjova për herë të parë se varri i Azem Hajdarit ishte i vendosur në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, fillimisht nuk e besova. Më është dukur një absurd i mendimit. E dija se arkmorti i tij, pasi kishte shërbyer si dash për të sulmuar portat e kryeministrisë, kishte marrë rrugën drejt  varrezave qytetare, dhe kisha thënë se dheu le të jetë i lehtë edhe mbi të, me gjithë mëkatet që kishte pasur në pak vitet e fundit të jetës së tij të stuhishme, të çoroditur dhe jo fatsjellëse.

Më pas më thanë se, jo vetëm ishte aty, pranë Monumentit të Nënës Shqipëri, por, pasi ishte “shpërngulur” varri i Qemal Stafës, diku në thellësi, vendin e tij e kishte zënë njeriu që më pas do të shpallej si nderi i kombit, për të cilin do të ngriheshin privatisht e jo privatisht dy përmendore më të mëdha se sa të Bajram Currit, ndërsa, në të njëjtën kohë, do të zhdukeshin bustet e Qemalit dhe, një i vetëm pranë selisë presidenciale, do të dukej i mekët, pa zë dhe gjysmë anonim.

Se cila meritë i takon Hajdarit që të jetë aty, këtë e ka vendosur politika dhe jo historia. E ka vendosur dëshira e në njeriu që e nxori në një pritë horash dhe ku ai deshi të bënte të njëjtin rol. E ka zhvendosur mëria e një njeriu, që, pasi arriti ta mposhtë në jetë, kërkoi të bënte xhestin e fundit të atij që, edhe të rëndon e të ulë, edhe të ngre dhe të bën hero.

Në të gjithë këto ditë lufta e para 75 viteve është ringjallur e ringritur edhe një herë, po aq polemizuese si dikur, po aq e padëshiruar dhe politikisht e ngarkuar, po aq sa edhe rasti Hajdari, por edhe i të tjerëve që, megjithëse i kanë mbijetuar a jo në kohë të caktuar një partie, kanë shërbyer për të bërë politikën mbi gjakun e tyre dhe mbi jetën e tyre. Të gjithë e dinë jetën e vrullshme të Hajdarit, por të gjithë, edhe ata që nuk e deshën kurrë, edhe ata që e luftuan haptas e tinëzisht, e bëjnë këtë jo se e deshën, apo e duan shembullin e tij, por sepse politika i bën kurrizthyer dhe të dëmshëm.

Për shumë vite politika po vendos mbi historinë dhe mendimin  racional, shkencor dhe të saktë. Politika mund të vendosë nesër në piedestal nderi, jo vetëm ata që e ndërtuan këtë, por edhe ata që desh e shembën. Mund të vendosë Markagjonët, të cilëve u duhet vënë shënimi “vranë mësuesit e mësueset e Mirditës”, mund t’u vendoset Kadri Cakranit, Isa Toskës dhe Halil Alisë , që bënë masakra në jugun e Shqipërisë, mund të kërkojë një ditë politika mizore që të rikthehet Koçi Xoxe, njeriu që gjakosi këtë vend dhe duket si e harruar koha e tij, mund të vendosen, nga të dyja palët, ata që nuk e meritojnë të jenë në askund.

Shqipëria ka një akademi shkencash, por, për fat të keq, edhe aty ka hyrë politika e herë pas here mediokriteti; ka ministri kulture e historianë, njerëz me tituj shkencorë dhe profesorë, por që heshtin, ka njerëz të ditur që mendojnë se pas një prononcimi do të shpallen të majtë apo të djathtë; ka një shef qeverie që mendon si në kohën e shkuar, kur Njëshi bënte historinë, një ish shef opozite që të shpall vrasës një ditë pas vdekjes të bën hero, presidentë si Nishani që shpall nder të kombit grupe të tëra pa e ditur përse…  por mendim të kultivuar, të sanksionuar shkencërisht, nuk ka.

Përse heshtin njerëzit e dijes? Thjeshtë, kanë droje. Kanë frikën e linçimit, sepse sot, po të mendosh ndryshe nga shefi i partisë apo i qeverisë, gjithçka mund të jesh, por asgjë të bëjnë.

Një “historian” mbledh nga librat e vjetër të komunizmit se cilët kanë qenë drejtuesit e luftës nacionalçlirimtare. Nga njëri rreth në tjetrin. Nga njëra brigadë në tjetrën. Është vetëshpallur i djathtë. Merr rrogë qeverie dhe rrogë  të mirë. Nuk ka punë tjetër. Atëherë ulet e shpall kriminelët e një lufte që në fakt na bën nder. I merr rradhas, të rënë në luftë dhe të ashpër në pasluftë; idealistë që u sakrifikuan dhe të tjerë që nga luftëtarë u bënë mercenarë: njerëz të devotshëm për kombin dhe kombthyer; i fut në një thes, nuk ka qeder për dinjitetin e askujt, mendon se është koha e tij, të zhbëjë atë që ka ndodhur realisht, të rivrasë të rënët, dhe politika e mbulon në heshtje këtë shpallje, pasi, njëra palë, në qeverisje, pret se çfarë do të thotë shefi i saj, i njohur si djathtist, drejt anarshistit, por që drejton të majtën; dhe tjetri, në opozitë, ish shefi i saj, dikur i njohur si majtist ekstrem, tani djathtist anarkist. Heshtin… sepse mendojnë të ardhmen e tyre dhe jo të ardhmen e kombit. Flasin shefat, të tjerët vegjetojnë. Por shefat nuk e bëjnë Shqipërinë.

Nuk e di se çfarë ka bërë Azem Hajdari për këtë vend që të prehet aty. Po t’i besojmë asaj që ka thënë dikur Berisha, kur Azemi ishte gjallë, atëherë vendi i tij do të ishte aty ku ishte… po t’i besojmë asaj që thotë tani, piedestalet janë pak.

Por, ka folur politika dhe jo historia.

Historia ngjizet ngadalë dhe është e pakthyeshme.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT