Një lojë e ndyrë, e aktorëve të dobët të UDB-së!

Gjithashtu një gjë u arrit, që të zhvendoset vëmendja nga përpjekja e Hashim Thaçit që me tradhti ta ndaj Kosovën, tek interpretimi i një budallallëku. Shqiptarët kanë dhjetëramijëra fakte të pakontestueshme të krimeve të kryera nga serbët!

Prandaj, debati duhet të zhvendoset aty ku buron e keqja, tek ‘lulet e liga’ të Kosovës!

Shkruan: Idriz Morina

Teoria e parë që të shkon në mend për fotografinë e ekspozuar në Kuvend nga Flora Brovina është, përpjekja që nëpërmjet tronditjes së opinionit të shkaktohet një tërmet politik. Ky lloj tërmeti politik, i cili nuk mund të parashikohet se çfarë do të shkaktonte vërtetë, motiv kryesor e ka pengimin e veprimit të Gjykatës speciale, si çështja thelbësore, procesi që mund t’i rivendos shumë procese në rrjedhën e tij, dhe që mund ta vendos Kosovën në rrugën e duhur të demokracisë dhe të qëndrueshmërisë shtetërore.

Fotot e përdorura nga Brovina kishin për qëllim të shërbenin si fitil iniciues për krijimin e një gjendje të paqëndrueshme në vend, duke nisur me një revoltë:

Së pari ndaj pranisë ndërkombëtare, duke e akuzuar si të pazonja dhe qëllimkeqe ndaj shqiptarëve, e cila nuk bëri asgjë me dy misione, UNMIK-un dhe EULEX-in për ndëshkimin e krimeve serbe, të cilat e detyruan NATO-n të ndërhynte për shpëtimin e shqiptarëve.

Së dyti, duke nisur një valë pakënaqësish, do të gjente vend kanalizimi i kërkesës së Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të tjerëve për parashtrimin e zgjidhjes së pretendimit të tyre, ndëshkimin e krimeve të kryera nga serbët, paçka se vetë këta, deri më sot kanë bërë të pamundurën për mosndëshkimin e këtyre krimeve, përfshirë refuzimin dhe mospërpjekjen që kjo çështje të bisedohej në Bruksel.

Këto pakënaqësi, zemërime të kombinuara me zemërimet e tjera të panumërta, si korrupsionin, krimin e organizuar, vjedhjen e buxhetit shtetëror, papunësinë, detyrimet dhe nxitjet e shqiptarëve për të braktisur atdheun, papunësia, pasiguria psiko-sociale, moszbatimi i ligjeve apo zbatimi diskriminues para së gjithash nga gjykata dhe prokuroria, etj., do të krijonin një vorbull të paepshme deri në shkaktimin e trazirave, një skenar që aspak ende nuk është evituar.

E gjithë kjo situatë do të çonte në zvarritjen e mëtejshme të arrestimeve të krerëve të krimit të organizuar në Kosovë, të cilët organizuan vrasjet politike, e të cilët po e mbajnë të okupuar kupolën shtetërore.

 Një teori se pse u përdor Flora Brovina, dhe jo “Kamishi” apo ‘dr.Këpuca’

Flora Brovina, si një figurë e konsideruar pozitive për shkak të përpjekjeve të saj të vazhdueshme humanitare, para dhe pas luftës, ishte një person i përshtatshëm për të përdorur imazhe që mund të trondisnin shqiptarët. Një njeri i konsideruar i butë, human, që madje as nuk provoi t’i hakmerret Serbisë, në kuptimin juridik, por edhe politik, duke e paditur apo mbledhur prova për të akuzuar kriminelët serb, grupe apo formacione që kryen krimet më të rënda në Kosovë, ishte imazhi i duhur për të goditur shtetin serb për krimet e kryera.

Por, Flora siç dëshmoi, dhe këto dobësi i kanë pasur shumë të qarta agjentët, se ajo nuk është e zonja t’i verifikojë vetë informacionet, edhe ato që sjellë thjesht një imazh, aq më pak një imazh seksual me premisa të dhunës sadistike.

Psh. Sikur fotoja të kishte qenë e vitit 2003, ajo nuk do ta kishte shkëlqimin dhe reflektimin që ka një foto e re, ashtu siç shihet ajo në duart e Brovinës, shto këtu edhe faktin se tashmë besohet se skenat ishin produkt i një videofilmi porno, por të vitit 2004.

Flora nuk ka treguar zgjuarsi në verifikimin e fakteve, thuaja kurrë, as atëherë kur e mori përsipër të shpëtonte PDK-në dhe Thaçin nga koalicioni VLAN, gjë të cilën e ka treguar duke reaguar në mënyrë naive dhe të paqartë derisa çështja nuk u dërgua në kushtetuese, nga një tjetër grua naive, dhe e tej përdorur nga politika dhe agjentura, ish presidentja Jahjaga.

Brovina asnjëherë nuk ka treguar personalitet në politikë. Në Kuvend ka qenë e heshtur dhe model i gruas konformiste ndaj meshkujve, përgjithësisht dhe atyre të fuqishëm, veçanërisht.

Ajo përveç, në ndonjë rast të rrallë, nuk ka qenë e zonja t’u hyjë kundërshtimeve dhe aq më pak kërkimit të vlerave, si brenda subjektit të saj politik, PDK-së, e po ashtu institucionit – Kuvendit.

Pra, një person më të përshtatshëm nuk gjenin ish struktura të SHIK-ut, për ta shfrytëzuar deri në shpërfytyrim Brovinën, por pa e ditur as ata, se sa shumë mund të degradonte plani i tyre.

Siç argumentohet edhe nga pamjet e videove–regjistrimeve zyrtare në Kuvend, Flora Brovina, me plot gjasë të paktën njërën nga fotot i ka marrë në Kuvend nga Kadri Veseli dhe është udhëzuar kur e si ti prezantojë, ndërsa asaj nuk i ka interesuar asgjë, veç mundësisë së famës që do të merrte nga publikimi i ‘dhunimeve’ të kryera nga serbët.

Ishte Kadri Veseli, ai që mori ‘flamurin’ kinse për të ndërgjegjësuar kombin për krimet që kanë kryer serbët, madje duke u bërë promotor i organizimit të një seance në Kuvend për të dënuar dhunën shtetërore serbe gjatë agresionit, ndërkohë, që tashmë e ka shpallur vend-ndërtimin e një muzeu të gjenocidit, për të kujtuar gjithmonë krimet serbe.

E vërteta është se serbët kanë kryer dhunime masive, por numri prej 20 mijë është rritur qëllimisht nga vetë kjo klasë politike apo edhe nga projektuesit, shërbimet sekrete serb. Duke treguar me vite shqiptarët një numër të pabesueshëm dhunimesh, në një moment të caktuar, si ky me Brovinën, të demaskoheshin dhe të shpalleshin të rrejshme dhe të pabesueshme, duke bërë të harrohen përplot krime të tjera, gjenocid i paparë serb, një përpjekje holokausti për zhdukjen e kombit shqiptarë në Kosovë, vetëm brenda disa javësh më 1999.

Të gjitha këto tregojnë se e gjitha ishte një lojë e ndyrë, e aktorëve të dobët të UDB-së.

Gjithashtu një gjë u arrit, që të zhvendoset vëmendja nga përpjekja e Hashim Thaçit që me tradhti ta ndaj Kosovën, tek interpretimi i një budallallëku. Shqiptarët kanë dhjetëramijëra fakte të pakontestueshme të krimeve të kryera nga serbët! Andaj nuk duhet ta përqendrojnë vëmendjen, duke krijuar diskutime që shpërfillin edhe krimet masive serbe!

Prandaj, debati duhet të zhvendoset aty ku buron e keqja, tek ‘lulet e liga’ të Kosovës!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT