Paaftësi apo korrupsion?
Shteti shqiptar ka humbur sërish, tashmë në një arbitrash kundër Beketit, e që lidhet me mbylljen e televizionit Agon. Një histori e ndërmarrë disa herë, e diskutuar dhe e përgojuar, ku, edhe sot e kësaj dite, askush nuk e di pse shteti shqiptar, duke mbyllur një media kundërshtare të politikës së tij, la hapur kaq shumë rrjedhje, sa që një ditë të marrë një dënim të papritur për ata që janë jashtë ngjarjeve, por, si duket, të pritur jo vetëm nga akuzuesi.
Janë bërë disa raste që shteti, si pa të keq, humb dhjetëra milionë euro në gjyqe arbitrazhi jashtë Shqipërisë.
Tani ka ardhur koha që të bëhet pyetja e drejtpërdrejtë: Kemi të bëjmë me paaftësi të shtetit apo një shfaqje e re e korrupsionit.
Ka mjaft mendime dhe të shumtë janë njerëzit që mendojnë seriozisht se, shteti, duke bërë aktet abuzive apo të drejta, lë pas vetes shtigje refuzimi dhe delegon për të mbrojtur shtetin pikërisht ata që, jo vetëm nuk kundërshtojnë fort e qartë, që jo vetëm janë të përgatitur për të mbrojtur shtetin e tyre, që i paguan, i trajton si njerëz të afërt të tij, në fund të fundit, si mbrojtës të shtetit, por që nuk e bëjnë detyrën e tyre ose nuk janë të përgatitur për këtë detyrë, e, çfarë është më e keqja dhe më dyshuesja, kanë heshtur, kur është dashur të flitet fort, qartë, me logjike.
Njëri ndër shembujt e tillë është Çështja Beketi, e shtrirë në shumë fusha, me spekulime dhe të vërteta, me detyrime të pashlyera dhe arbitraritet shtetëror, me gjyqe të ndarë në disa pjesë, disa nga të cilët, më të vegjlit, shteti i ka fituar dhe disa i ka humbur, deri sa erdhi kjo fund-prilli i këtij viti, kur dënimi ndaj shtetit shqiptar do të ishte jo edhe aq i befasishëm, por i rëndë, shumë i rëndë për taksapaguesit shqiptar.
Të paguash më shumë se 100 milionë euro nga një veprim qeverisës mund të ketë një pyetje: cili është përgjegjësi për këtë, kush duhet të mbajë mbi shpatulla rëndesën e këtij veprimi, cili nga titullarët, qofshin nga më të lartët e deri tek audituesit duhet të përgjigjet.
100 milionë euro nuk janë 100 mijë lekë, që zyrtarëve të lartë nuk u futen as në sy. Është një rrugë e humbur, disa shkolla të munguara, disa qendra spitale që nuk do të ngrihen. Nuk dalin nga xhepat e zyrtarëve, në të kundërt, pas këtyre “dështimeve” njerëzit mendojnë se diçka futet në ato xhepa të fryrë që mbushen përditë e më tepër.
Kur pala shqiptare nuk kundërshton fort, kur ajo nuk i ka kopsitur gjërat si duhet, ndershmërisht, mbi bazën e ligjeve, dëmeve që janë sjellë apo përfitimeve që mund të silleshin, atëherë, sipas një logjike fillestare, është e arsyeshme të mendohet se vërtet është gjithçka paaftësi, apo diçka tjetër fshihet pas saj, një aferë e stërgjatur korrupsioni?
Çfarë ndodhi mes shtetit shqiptar de biznesmenit kontravers italian, njeriut të “çudive mediale”, por edhe kundërshtar i hapur u Edi Ramës?
Përse kaq shpejt u harrua dëmi i madh kushtuar shtetit shqiptar nga CEZ-i, një strukturë mafioze me tentakula pushtetore, që i kushtoi Shqipërisë 479 milionë euro?
Si është e mundur që të jetë paaftësi e zakonshme, kur gjyqet e arbitrazhit ndërkombëtar, ku drejtësia nuk varet nga pushteti i këtushëm, nuk japin vendime në favorin e Shqipërisë?
Avokat i shtetit është Artur Metani, njeriu që duhet të mbrojë shtetin që e paguan. Ai është vëllai i ish deputetes Eglantina Gjermeni, ish ministre, i cili erdhi në këtë detyrë nga nepotizmi dhe jo nga ajo që duhej të ishte, aftësia për të zgjidhur gjërat në dobi të Shqipërisë.
Humbja e gjyqeve të arbitrazhit dhe droja se mund të humbasim edhe të tjerë, nuk janë thjeshtë çaste të mediokritetit, sepse ky mund të ketë fund një ditë, por, si duket, pas këtyre “humbjeve” fshihen marrëveshje të tjera, të lidhura heshtazi, megjithëse do të donim të mos ketë ndodhur kështu.
Vendimi i dhënë nga Gjykata e Arbitrazhit në Uashington akuzon drejtë për së drejti shefin e qeverisë shqiptare, jo vetëm për arrogancë dhe përgjegjësi për sulmet ndaj biznesmenit italian, dhe, pas tij, janë jo pak të tjerë, të cilët, si dikur, në një shtet monist, vrapojnë të “arsyetojnë” shpërthimet kryeministrore, pavarësisht se kjo i sjell dëm Shqipërisë.
Ka ardhur koha kur qeveria duhet të përgjigjet në pyetjen më të zakonshme dhe normale në këto raste:
Është paaftësi apo korrupsion?/DITA