Thaçi: Nëse BE nuk na do me dy flamuj, atëherë hyjmë me një
I ftuar në RTV Dukagjini këtë të enjte, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se nëse Bashkimi Europian do të vazhdonte ta mbante Kosovën e izoluar, do të shqyrtohej mundësia për veprime institucionale apo referendume për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Thaçi shtoi se ideja për korrigjimin e padrejtësive historike dhe për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës kurrë nuk ka qenë më e sensibilizuar se tani.
Presidenti i Kosovës shtoi:
“Edhe në takimin e Berlinit as që është mbyllur ndonjë ide, por as që është prezantuar ndonjë alternativë e re. Diçka të tillë do të vazhdoj ta prezantoj”.
Presidenti Thaçi , gjithashtu nënvizoi ka se, pas vonesave që Bashkimi Europian po i bënte Kosovës, kishte ardhur koha të mendohej seriozisht për ndërmarrjen e hapave institucionalë për Bashkim Kombëtar.
“Këtë mund ta bëjmë qoftë përmes rezolutave në kuvendet e dy vendeve tona, apo përmes referendumeve në Kosovë dhe Shqipëri, gjithmonë duke përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin” deklaroi Thaçi.
Thaçi ka shtuar më tej se nëse Bashkimi Europian nuk i donte dy shtete shqiptare me dy flamuj në gjirin e vet, atëherë le të pranonte vetëm një flamur.
Ai gjithashtu ka bërë të qartë se Kosova nuk e kishte alternativë Turqinë, Rusinë apo Kinën, por kishte alternativë bashkimin me Shqipërinë.