Video bllofi: Nuk mbahet premtimi, rruga Tiranë-Elbasan nuk u hap në 17 maj
Në disa deklarata të herë pas hershme, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u zotua me përgjegjësi se autostrada Tiranë-Elbasan do të hapet plotësisht me 17 maj, por ministrja ka dalë bllof.
Ndryshe nga premtimi i qeverisë, edhe pse sot data shënon 18 maj, autostrada nuk është hapur ende plotësisht.
“Deri më datën 17 maj ne deklarojmë me përgjegjësi që e gjithë rruga do të jetë e përfunduar dhe do të dorëzohet sipas kushteve teknike që parashikohen”, ka thënë Belinda Balluku.
Ky është një nga premtimet dhe garancitë që dha ministrja Belinda Balluku pas marrjes së detyrës. Por ashtu si dhe shumë raste të tjera edhe këtë herë gjithçka duket se kanë mbetur fjalë.
I vetmi ndryshim ka qenë hapja e një segmenti ditën e verës, kur dhe u inspektuan punimet e më pas rrugën Tiranë -Elbasan e mbyti heshtja.
Situata mbetet edhe më skeptike duke pasur parasysh faktin se ministrja e re ka kufizuar ndjeshëm fondet për investimet në projektet rrugore.
Në fakt premtimi i bërë në ERTV prej Ballukut ishte për hapjen e plotë të rrugës në 17 maj, dy vite pas marrëveshjes Rama – Basha. Por me sa duket ministrja e re e Infrastrukturës nuk arriti që të mbante fjalën e dhënë për të ulur dhe impaktin e reagimit të opozitës.
Më 22 janar rruga u inspektua edhe nga kryeministri Edi Rama dhe në njoftimin e shpërndarë për mediat theksohej se autostrada do të hapej plotësisht më 17 maj.
Rruga Tiranë-Elbasan, e cila ka një gjatësi prej 27 kilometrash, filloi të ndërtohet në vitin 2011. Rruga pritej të përfundonte në vitin 2015 ndërsa afati i punimeve u shty për në vitin 2018.