Doni të dini ku është kjo mrekulli shqiptare?

Nga Alma Nikolli
Filtrat e instagramit janë të pafuqishme para mrekullisë së quajtur Vuthaj. Para një pamjeje mbreslënëse sytë ndihen gjysmakë, do të donin një kënd shikimi 360 gradë. Sipas profesor Eqerem Çabej, Vuthaj vjen nga fjalët: “I vutë”, “i përvutë”, tokë e rrafshët. Megjithatë, duhet të kalosh përmes doganës së Malit të Zi për të vizituar Shqipërinë.
Kanë tentuar ta “s(k)llav-ërojnë” Vuthajn duke e quajtur “Vusanje” por shqiptarizmin ndër shqiptarët e asaj treve e dallon menjëherë. Aty ndihesh më patriot teksa të duan vetëm prej faktit se vjen nga nëna Shqipëri. Majfton që flet shqip dhe gjithkush të përshëndet.
Shqiptarizmin e gjen te Binaku. Burri malësor i urtë e i mençur që di çdo sekret të maleve të larta që rrethojnë Vuthajn. Ai na shoqëron drejt malit të Jezercës duke na treguar të fshehtat e asaj zone. Mbi dëborën e pashkrirë në qershor, në një sipërfaqje të pjerrët që ne na ngjall frikë, ai ecën si mbi asfalt. I qetë e me kryet lart, thith ajrin si një shqiponjë.
Po aq e dashur sa shqiptarët e “Shqipërisë së Malit të Zi” është edhe natyra. Bujare sa më s’ka. Lule dele të stërmëdha për kurora, burime të akullta, flutura lloj-llojëshe, lule që nuk i gjen as në dizenjot e fustaneve më kreative, dredhëza të ëmbla e krenare. Asnjëra nuk ka formën e tjetrës, secila e rritur në terezi të vet, BIO si thuhet këtej nga qyteti. Në Vuthaj zgjohesh me cicërimën e zogjve që nuk flenë kurrë. Vetëm këndojnë.
Prej Vuthajt drejt Jezercës nuk më ra asnjëherë në mendje Tirana. As fakti se përse nuk ka valë celulari, mendja të ndalon. Është natyra që komandon. Falë Zotit në ato shtigje njeriu nuk ka lënë shenja. Asnjë mbeturinë!
Mrekulli! Kaq! Kjo është fjalë më e shpeshtë që thotë kushdo që sheh këtë vend. Fjalët e mia nuk mjaftojnë as për të përshkruar një burim uji që të mpin duart nga ftohtësia por të shuan etjen e freskon shpirtin. Ai vend nuk mund të thuhet me fjalë, as me fotografi, thjeshtë merr frymë përballë Jecercës kryelartë të veshur me dëborë dhe më kupton.
Pasi fillova të publikoj fotografitë “mrekulli” shumë miq më pyetën: Si shkohet në Jezercë?
Dhe ja një guidë e vogël.
Shkodër
Tamarë
Lepushë
Guci
Vuthaj
Ndalu në stanin e Vuthajt dhe fluturo drejt malit. Mos më falendero për sugjerimin, thjesht gëzoju natyrës dhe pafuqisë së njeriut para saj.

