Fato Malaj, shqiptari që kandidon për deputet në zgjedhjet e 7 korrikut në Athinë

Atë tashmë e njeh shumëkush. Në Greqi, natyrisht, por edhe në Shqipëri e kudo ku ka shqiptarë. Fatos Malaj ka marrë përsipër të zgjidhet deputet në parlamentin grek.

Një gjë që as që mund të imagjinohej veç pak vite më parë. Një mision i vështirë, por jo i pamundur.

Por mbi të gjitha, një shenjë mjaft e qartë e nivelit të integrimit që kanë arritur shqiptarët në Greqi pas gati tri dekadash të pranisë së tyre në vendin fqinj. Integrim ekonomik e social në radhë të parë, por tash së fundi, edhe politik, pasi rreth 200 mijë qytetarë të ardhur si emigrantë nga Shqipëria morën nënshtetësinë greke.

Në zgjedhjet e majit 2019, për parlamentin europian, por edhe për bashkitë dhe periferitë, kandidoi një numër rekord shqiptarësh. Kush jeton në Greqi, e ka të qartë se partitë politike greke nuk i përfshinë shqiptarët në listat e tyre vetëm për të marrë votat e bashkatdhetarëve. Por i përfshinë edhe si përfaqësues të një komuniteti që konsiderohet si faktor i rëndësishëm ne jetën ekonomike dhe asociale të Greqisë, me kontribute tashmë të njohura e të pranuar publikisht edhe nga vendasit.

Një nga shprehjet më të kristalta të këtij faktorizimi është Fatos Malaj, i cili kandidon në zonën e parë të Athinës me partinë Lëvizja për Ndryshim (KINAL), dhe beson se do të zgjidhet deputet në parlamentin grek që do të dalë nga zgjedhjet e 7 korrikut 2019.

Ky besim në radhë të parë buron në vetë potencialet profesionale, politike dhe sociale që disponon, por edhe në shpresën se mjaft shqiptarë, që votojnë në Athinë A, do t’ia japin votën bashkatdhetarit të tyre.

Nëse shqiptarët votojnë Fatos Malajn, kjo nuk do të jetë votë patriotike, dhe as bamirësie. Nëse Fatos Malaj arrin të zgjidhet deputet në parlamentin grek, ky do të jetë akti që “betonon” faktorizimin e shqiptarëve në Greqi. Do të jetë dëshmia më e mirë se komuniteti shqiptar jo vetëm ka zë, por di edhe ta thotë ashtu siç duhet fjalën e vet.

Le ta shohim në mënyrë krejt pragmatiste: Nëse komuniteti shqiptar arrin me votën e vet të zgjedhë një deputet në parlamentin grek, vëmendja që shteti dhe shoqëria do të tregojnë ndaj komunitetit tonë, do të jetë maksimale dhe shumë e rritur cilësisht. Kaq e thjeshtë!…

Po kush është Fatos Malaj. Me origjinë nga Delvina, u vendos në Greqi në mesin e viteve 1990-të, duke sjellë me vete jo thjesht ëndrrën për një jetë më të mirë. Ndryshe nga shumica e bashkatdhetarëve, ai kishte synime ambicioze, nuk donte të ishte një anonim ndër mijëra shqiptarët që kishin vërshuar në Greqi. Donte të ishte i barabartë mes të barabartëve.

Dhe ia arriti të fillonte punë si ndërmjetës ndërkulturor në qendrën e shërbimit të emigrantëve në Athinë. Një punë që e ka “pasuruar” Fatosin me përvoja të larmishme, ku më e vyera është kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit dhe hallet e tyre. Sqarojmë se ndërmjetësi ndërkulturor është “ura lidhëse” ndërmjet emigrantit dhe administratës. Ai ka për detyrë të komunikojë me emigrantët që paraqiten për t’u pajisur apo për të rinovuar me leje qëndrimi; u shpjegon procedurat, i orienton dhe u jep zgjidhje për problemet që kanë.

Kjo përvojë është pasqyruar në dhjetra ndërhyrje këmbëngulëse që Fatos Malaj dhe organizata që ai themeloi e drejton “Arogi – Përkrahje”, kanë bërë sidomos ndaj ligjvënësve, duke arritur jo pak herë përmirësime të dukshme të legjislacionit dhe procedurave që zbaton shteti grek për emigrantët.

Prandaj, gjatë këtyre ditëve që sapo ka nisur fushata elektorale për zgjedhjet e 7 korrikut, Fatosin e ndalojnë në rrugë njerëz të ndryshëm, jo detyrimisht shqiptarë, por edhe afganë, pakistanezë, indianë. I shprehin përkrahjen dhe, kush ka të drejtë vote, edhe mbështetjen e tyre. Në shenjë dhe të falënderimit për atë çka Fatos Malaj ka bërë gjithë këto vite për ata të gjithë, pa përjashtim…

Back to top button
LAJMET E FUNDIT