Fleckenstein për Shqipërinë në PE: Duhet ta marrim seriozisht, situata mund të dalë jashtë kontrollit

Në Parlamentin Europian, po zhvillohet eventi “Shqipëria dhe perspektiva e saj europiane” me pjesëmarrjen e disa përfaqësuesve të kabinetit qeveritar, raportuesit për Shqipërinë Knut Fleckenstein, në mbarim të mandatit si eurodeputet, si dhe eurodeputetes Monika Makovei.
Fleckenstein ka deklaruar se është informuar me vendimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve dhe reagimet e shumta lidhur me këtë vendim.
“Kam lexuar që Presidenti është i shqetësuar për situatën dhe se ajo mund të dalë jashtë kontrollit. Ne duhet ta marrim këtë seriozisht edhe pse ne nuk na takon që të ndërhyjmë në politikën e brendshme të Shqipërisë”, ka deklaruar Fleckenstein.
Ai është shprehur se Parlamenti Europian ka njohur progresin që ka bërë Shqipëria në reformat e integrimit dhe mirëpret progres-raportin e Komisionit Europian që rekomandon për herë të dytë hapjen e negociatave të anëtarësimit. Por Fleckenstein vuri në pah, se fatkeqësisht disa shtete anëtare nuk ndajnë qëndrimin e Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit. Fleckenstain i ka bërë thirrje shteteve anëtare që të njohin progresin e bërë dhe të hapin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.