Fotografi dashuroi Shqipërinë dhe shqiptarët
LAMTUMIRË, NORMAN GERSHMAN

Në moshën 86-vjeçare, ndahet nga jeta Norman H. Gershman, fotografi që portretizoi shqiptarët të cilët, shpëtuan hebrenjtë gjatë holokaustit. Fotografi i dashuruar me shqiptarët u nda nga jeta më 10 qershor 2019, në shtëpinë e tij në “Coral Gables”, Floridë.
Gershman, me një karrierë shumë të suksesshme në “Wall Street”, do të kujtohet më shumë për dashurinë dhe pasionin, për artin e fotografisë. Suksesi më i madh i tij, njihet libri dhe filmi “Besa”, ku portretizohen disa nga heronjtë shqiptarë të luftës II Botërore. Lajmin për humbjen e ka bërë të ditur gazeta shqiptaro-amerikane, “Illyria”, në New York.
Por, dashuria e tij e vërtetë dhe më e madhe, mbeti gjithmonë arti. Sidomos, fotografia. Ai u kthye në një udhëtar të botës dhe fotograf i shquar. Fotografitë e tij më të mira, tashmë janë pjesë e një ekspozite lëvizëse e “Yad Vashemit” në Jerusalem, si dhe e Kolegjit të Unionit Hebre, në Neë York.

Libri dhe filmi, të dy më titullin “Besa”, janë realizuar bazuar në portretet e jashtëzakonshme të këtij autori.

Për shkak të përqendrimit te shqiptarët myslimanë, kritikat nuk iu kursyen as një emri si Gershman, në një vend ku shpëtimtarët e hebrenjve ishin nga të gjitha përkatësitë fetare. Po ashtu, lidhja që ai shihte mes dukurisë së besës te shqiptarët dhe fesë islame, qe një tjetër temë debatesh.
Pa diskutim, Gershman nuk kishte për qëllim të zbehte rolin e pjesës që nuk ishte myslimane, në Shqipëri. Ai synonte që në kontekstin e urrejtjes, krijuar nga konfliktet në Lindjen e Mesme, historia e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, të shërbernte për të afruar myslimanët e hebrenjtë, duke përcjellë këshut, mesazhin universal të humanizmit e bashkëpunimit mes popujve.
Norman Gershman kishte dashuri për shqiptarët, ai u dashurua me Shqipërinë dhe puna e tij është trashëgimia më e madhe që ai la pas.

