Ikin polakët, maqedonasit dhe malazezët, Shqipëria me rritje modeste të turizmit për muajin maj

Muaji maj ka sjellë një ngadalësim të turizmit hyrës të shtetasve të huaj në Shqipëri.

INSTAT raporton se Shqipërinë e vizituan rreth 400 mijë shtetas të huaj.

Ky numër është më i ulët krahasuar me prillin dhe në rritje të lehtë me rreth 2% krahasuar me një vit më parë.

Gjatë majit, Shqipëria ka pësuar një rënie të ndjeshme të vizitorëve, sidomos nga shtetasit e vendeve fqinje. Numri i vizitorëve nga Kosova ra me afro 19%, nga Mali i Zi me 10% dhe nga Maqedonia me 8%.

Për 5 muajt e parë të vitit, numri i përgjithshëm i vizitorëve të huaj arriti në rreth 1.5 milionë, 5.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, raporton SCAN.

Edhe në shifrat e deritanishme vjetore ecurinë më të dobët e shfaqin vizitorët nga vendet fqinje, ndërsa në rënia krahasuar me vitin e kaluar është numri i turistëve nga Polonia dhe Anglia.

Ndërkohë, turistët nga vendet e Europës Perëndimore dhe vendet e tjera ngelen në rritje me ritme dyshifrore krahasuar me një vit më parë.

Operatorët turistikë shprehen gjithnjë e më të shqetësuar për pasojat e tensioneve politike, që sipas tyre, kanë sjellë jo pak anulime të prenotimeve.

Frenimi i muajit maj mund të jetë një sinjal se efektet e krizës te turizmi janë bërë më të prekshme dhe mungesa e një zgjidhjeje në horizont i bën më të zymta pritshmëritë për sezonin veror.

Nga ana tjetër, turizmi dalës i shqiptarëve jashtë vendit vazhdoi të rritet edhe për majin, me rreth 477 mijë vizita jashtë Shqipërisë.

Për pesë muajt e parë të vitit, shqiptarët regjistruan 2.2 milionë dalje jashtë vendit, në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT