Kim Mehmeti: Piktori e bëri Shqipërinë vend ku thuajse është turp të turpërohesh

Shkrimtari dhe studiuesi i famshëm, Kim Mehmeti ka reaguar në lidhje me situatën aktuale në Shqipëri, zgjedhjet e 30 qershorit dhe pozicionimin që kryeministri ka zgjedhur.
Në një artikull të bazuar në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve që kanë vuajtur nga udhëheqësit e vet, Mehmeti kritikon lidershipin shqiptar për paaftësinë për të organizuar zgjedhje të lira, por jo vetëm. Duke mos kursyer kritikat edhe për qëndrimin e kryeministrit, Mehmeti thekson se Shqipëria po shkon drejt një diktature “demokratike”.
Ndër të tjera Kim Mehmeti shkruan: “Dhe sot, tridhjetë vite pas rënies së komunizmit – për dallim nga gjitha vendet tjera postsocialiste të Ballkanit – Shqipëria ende nuk është e aftë të organizojë zgjedhje të lira demokratike. Dhe përfundoi si shtet i përshtatshme vetëm për ‘butakët’ pa bosht kurrizorë që i përkulen piktorit Kryeministër dhe e pabanueshme për ata që posedojnë portret të qartë individual. Me çka asaj ia morën thuajse të gjitha, e bënë të jetë ‘gazi’ i botës, madje duke e bërë të turpërohet nga vetvetja! Dhe ku Kryeministri shkon në fushatë parazgjedhore i shoqëruar nga mijëra policë, ashtu siç nuk i ka ndodhur as ‘babait’ të narkomanisë – Eskobarit!
Pra, sot Shqipëria është shtet që e jeton ‘diktaturën’ shumëpartiake të ‘rilindësve’, të cilin shtet, Piktori me ambicie diktatoriale, e shndërroi në pronë të veten edhe atë, jo duke i kontrolluar të vërtetat publike, por duke i vënë nën kontroll gënjeshtrat për vetveten, duke mos i mbyllur kufijtë dhe duke mos i vrarë në kufi ata që e braktisin shtetin që ai drejton, por përkundrazi: duke i nxitur dhe duke i detyruar të gjithë kundërshtarët e vet politik ta braktisin vendin”.
Në vijim Mehmeti, një nga figurat më të shquara të shqiptarëve përtej kufijve, i referohet edhe zgjedhjeve të 30 qershorit, duke theksuar se Shqipëria atë ditë do votojë për turpin e saj me fjalët: “Andaj sot, nuk duhet të flitet për atë se çka do sjellë 30 qershori, por duhet të debatohet për atë si ta shpëtosh Shqipërinë nga diktatura ‘demokratike’, e cila mbështetet mbi varfërinë e popullit, mbi spektaklet me të cilat mbulohet realiteti i mjerueshëm, mbi kontrollimin e gënjeshtrave që publikohen nëpër media, e që duhet t’i fshehin të vërtetat për ‘rilindësit’ e Piktorit.
E sa i përket 30 qershorit, atë ditë Shqipëria do votojë për turpin e saj. Do votojë pra për vetveten të rënë në duart e Piktorit, i cili i ngriti në ‘vlera’ demokratike paturpësinë, papërgjegjësinë dhe përbuzjen ndaj gjithë atyre që e kundërshtojnë e që i thonë: Zotëri, t’i mundë të dalësh me prapanicën cullak ku të duash e kur të duash, por mos na mbajë për budallenj neve që themi se turpi, ndershmëria dhe ndërgjegjshmëria, janë bosht i rëndësishëm mbi të cilat qëndron njerëzorja! Dhe që themi se Piktori e bëri Shqipërinë vend ku thuajse është turp të turpërohesh dhe ku hajduti e bardi, krimineli e i ndershmi, i pafytyri e i ndërgjegjshmi…, stehohen nën të njëjtin kulm të institucioneve shtetërore dhe njësoj pasurohen e majmen nga varfëria shqiptare!”.