Kriza politike nxit largimin, rritet numri i shqiptarëve që kërkojnë azil
Situata aktuale në vend duket se po nxit largimin e qytetarëve nga Shqipëria dhe kjo konfirmohet nga rritja e numrit të kërkesave për azil në shtetet e Bashkimit Europian.
Sipas një raporti të publikuar nga Zyra Europiane e Suportit për Azilin, shqiptarët renditen pas qytetarëve nga Venezuela dhe Kolumbia.
Që nga janari i këtij viti, ndaj shqiptarëve janë marrë mbi 7 mijë vendime negative.
Nga të gjitha aplikimet e këtij viti, rreth 7100 persona kërkuan azil për herë të parë në një vend të Bashkimit Europian.
Muajt e parë të vitit 2019 shënojnë një rritje të numrit të azilkërkuesve në Bashkimin Europian. Mijëra qytetarë nga Venezuela, Kolumbia por edhe nga Shqipëria kanë kërkuar azil në BE.
Numri i azilkërkuesve të rinj në Bashkimin Europian është rritur ndjeshëm në muajt e parë të vitit 2019, shkruan agjencia e lajmeve Dpa. Sistemi paralajmërues i BE që jep të dhënat për katër muajt e parë të këtij viti, shënon, se në këtë hapësirë kohore janë regjistruar 206.500 kërkesa për azil, krahasuar me 179.000 në të njëjtën kohë vitin e kaluar. Të dhënat i ka publikuar autoriteti europian i azilit, EASO.
Shqipëria pas Venezuelës dhe Kolumbisë
Në të njëjtën kohë është rritur numri i kërkesave për azil nga shtete, qytetarët e të cilave hyjnë në zonën Shengen pa vizë. Mes tyre Venezuela, Kolumbia, Shqipëria dhe Gjeorgjia. Venezuela e goditur rëndë nga kriza ekonomike renditej në mars pas Sirisë dhe para Afganistanit ndër vendet kryesore nga vijnë azilkërkues që kërkojnë ndihmë.