Lajmet e hidhëta nga Brukseli (edhe njëherë mbi teatrin e Tiranës)

Janë dhënë disa sinjale të qarta që Brukseli do t’i thotë PO Shkupit dhe JO Tiranës në hapin e radhës drejt BE-së.
Brukseli ka kaluar nga JO për të dyja në PO vetëm për Shkupin me sa duket për të dhënë mesazhin që nuk është kundër zgjerimit dhe nuk e ka braktisur Ballkanin.
Gjithçka ka të bëjë me standardet? Nuk është krejt kështu. Kur ata kanë dashur, standardet dhe detyrat janë kaluar me njërin sy të shkelur e me njërin vesh të dyllosur, ose edhe sy e veshë të mbyllur plotësisht.
Por ama nuk është as e vërtetë që fajtorë për këtë dështim të ri të Shqipërisë, është njëra apo tjetra palë politike në Tiranë.
Janë të gjithë.
E gjithë kjo klasë politike abuzuese, e korruptuar, manipulatore, vrasëse, që riciklon veten nëpërmjet mosndëshkimit dhe që prodhon në vijimësi kriza të rënda për vendin për pushtetin personal duke e lënë Shqipërinë në vend numëro.
Duke detyruar edhe në 2019 mijëra shqiptarë të braktisin vendin. Po ri-ikin edhe ata që kishin menduar të riktheheshin dhe ishin vendosur pas shumë vitesh emigrim në Shqipëri. Kjo është tragjike.
Kjo klasë politike e Shqipërisë, përkatësisht vendimmarrësit kryesorë të saj, Rama, Meta-Kryemadhi dhe Berisha-Basha janë në sinkron të plotë dhe kriza që kanë prodhuar dhe po përdorin po fryhet prej tyre për qëllime që kanë të bëjnë:
1 – Me riforcimin e pozitave të gjithësecilit brenda partive respektive.
2 – Me ndarjen e pushtetit të ri të drejtësisë.
Kjo që po ndodh nuk është një luftë mes këtyre treve. Kjo është një luftë mes këtyre treve bashkë dhe Shqipërisë, në anën e së cilës janë për momentin vetëm ata që duan të finalizojnë me çdo kusht reformën në drejtësi.
Në këtë moment që po shkruhemi, skena politike është e mbushur me “kërcënimet” mes tyre. Por në prapaskenë po duan të ndajnë fshatçe vendet që tani janë në lojë në Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, SPAK, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
Këto informacione dhe ky përfundim është tashmë edhe tek ndërkombëtarët. Ata po e mbështesin me sforco qeverinë, sepse vetëm kështu mund të finalizojnë shpejt investimin e tyre në sistemin e drejtësisë. Por lajmet që vijnë nga Brukseli tregojnë që në të vërtetë po i shohin të tre bllok.
Ata që pësojnë janë vetëm shqiptarët e thjeshtë, të cilët janë sfilitur mendërisht dhe materialisht.
Meta u dha dy të tjerëve alibitë perfekte për të brohoritur të dy fitoren.
Edhe nëse do ketë zgjedhje në 30 qershor, ato janë një flluskë, një mashtrim. Sepse të tre e dinë që ato do jenë të pjesshme, të përkohshme.
Pas tyre do bëhen zgjedhje të tjera shumë shpejt.
Sa shpejt? Do e çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme pa lënë kohë për reformën zgjedhore.
Zhbërjen e 2008-s dhe hapjen e tregut politik për njerëz të rinj, ata nuk do ta lejojnë kurrë.
Të paktën, ata vetë jo.