Lajmet e rreme, SHBA mbështet Shqipërinë në projektin e verifikimit të fakteve
Në një kohë kur numri i portaleve të informacionit në Shqipëri vijon të rritet, lajmet e rreme sa vjen e shtohen.
Qeveria amerikane përmes USAID ka financuar disa projekte në rajon që merren me kontrollin e fakteve në mediet online dhe jo vetëm.
Leyla Moses Ones, zëvendës ambasadore e SHBA në Tiranë tha se gazetarët duhet të jenë rojtarët tanë të lirive demokratike.
“Media e bazuar në fakte është një themel i qenësishëm i demokracisë. Një shtyp i pavarur shtyn debatin për krijimin e një shoqërie të lirë në të cilën qytetarët mund të shprehin pikëpamjet pluraliste. Media duhet të tregojë e të flasë të vërtetën. Propaganda informacioni i rremë dhe keq informimi kërcënojnë sot mediat e pavarura kudo në botë. Këto fenomene mund te jenë përçarëse në Ballkan që po bën ende hapa në forcimin e demokracisë e sundimit të ligjit. Puna juaj për të përmirësuar gazetarinë në Shqipëri dhe rajon nuk ka qenë asnjëherë më e rëndësishme”, tha Leyla Moses Ones .
Numri dy i diplomacisë amerikane në Tiranë, këto komente i bëri gjatë një konferencë, ku u mblodhën të gjitha agjencitë ballkanike që merren me kontrollin e fakteve në informacionet që publikohen.