“Letra e 13 ministrave të jashtëm, Greqia ka luksin të tallet me Shqipërinë”

Shaban Murati, analist i çështjeve të rajonit i gazetës Dita ka ndarë në rrjetin social Facebook një koment lidhur me kërkesën e 13 ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të BE, datë 11 qershor 2019, për hapjen e negociatave për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ajo çka ai vë në dukje është mungesa e ministrit të jashtëm të Greqisë në këtë letër, dhe jo vetëm. Në këtë postim thuhet se Greqia ka munguar në çdo letër të mëparshme, ku është kërkuar avancimi i integrimit të Shqipërisë në BE. Ajo kurrë nuk ka vënë firmën në një letër të përbashkët ministrash të jashtëm drejtuar BE në favor të Shqipërisë

“Greqia e di se shqiptarët e hajnë lehtë demagogjinë dhe mund ta shesë letrën e pensionistit grek Kocias si “avokati e Greqisë për Shqipërinë” dhe të entuziazmojë patriotët filogrekë në Tiranë”, shprehet Murati duke theksuar se Greqia ka luksin të tallet me Shqipërinë.

Postimi i plotë :

GREQIA TALLET ME SHQIPËRINË

Ministrat e jashtëm të 13 shteteve anëtare të BE: të Republikës Çeke, të Estonisë, të Letonisë, të Lituanisë, të Hungarisë, të Bullgarisë, të Italisë, të Maltës, të Austrisë, të Kroacisë, të Sllovenisë, të Polonisë dhe të Sllovakisë, në datën 11 qershor 2019 u drejtuan një letër të përbashkët krerëve të shteteve të BE me kërkesën “për të hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut”.

Siç e shikoni, në këtë letër mungon ministri i jashtëm i Greqisë.

Ka munguar Greqia në çdo letër të përbashkët të mëparshme të ministrave të jashtëm të shumë vendeve anëtare të BE, që kanë kërkuar më herët avancimin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Por Greqia ka luksin të tallet me Shqipërinë. Pensionisti ish-ministër i jashtëm i Greqisë, Nikos Kocias, disa ditë pas kësaj letre të 13 ministrave të jashtëm zyrtarë, stis një letër si ish-ministër i jashtëm për të mbështetur hapjen e bisedimeve me Shqipërinë. Por Kociasi, që ndejti katër vjet ministër i jashtëm, nuk u kujtua njëherë t’i dërgonte letër të përbashkët apo individuale BE-së që të hapte bisedimet e pranimit me Shqipërinë. Madje edhe tani në pension e kishte më të lehtë t’i thonte ministrit të jashtëm aktual të Greqisë, që ka qenë zëvëndësi i tij, që t’i bashkohej zyrtarisht me 13 ministrat e jashtëm te BE.

Greqia e di se shqiptarët e hajnë lehtë demagogjinë dhe mund ta shesë letrën e pensionistit grek Kocias si “avokati e Greqisë për Shqipërinë” dhe të entuziazmojë patriotët filogrekë në Tiranë.

Greqia zyrtare kurrë nuk ka vënë firmën në një letër të përbashkët ministrash të jashtëm drejtuar BE në favor të Shqipërisë dhe ndaj mungon në listën e letrës zyrtare të 13 ministrave të jashtëm të BE, të cilët Tirana zyrtare ka për detyrë t’i falenderojë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT