Maqedonia e Veriut “kopjon” opozitën shqiptare: Nuk i meritojmë negociatat

Raporti pozitiv nga Komisioni i BE e ka rritur besimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut se pas shumë pritjeve vendi do të shënojë një hap në drejtim të integrimit evropian.
A do të marrë Maqedonia e Veriut datë për negociata me BE-në për anëtarësim në Bashkim Europian?
Kjo çështje është tema kryesore në Maqedoninë e Veriut (RMV). Kryeministri i RMV Zoran Zaev pas vizitës në Bruksel deklaroi, se Maqedonia e Veriut ka marrë vendime shumë të rënda dhe me të drejtë pret që kjo të shpërblehet, por nëse ndodh e kundërta, që vendi të mos i nisë bisedimet për anëtarësim, atëherë me gjasë qeveria e tij do ta humbasë mbështetjen.
“Nëse vendosin që të mos e caktojnë datën, kjo do të ishte mundësi për rrëzimin e qeverisë. Kjo qeveri stabile me të gjitha këto vendime pozitive, me siguri se menjëherë do ta humbë shumicën në kuvend, pasi deputetëve u kemi premtuar që me siguri se do të marrim mendim pozitiv nga Bashkimi Evropian nëse ecim përpara”, ka deklaruar Zaev.
Edhe zëvendëskryeministri për çështje të eurointegrimit, Bujar Osmani është shprehur plot optimizëm se Maqedonia e Veriut do t’i çelë bisedimet e anëtarësimit kësaj vere.
“Unë jam optimist nga ajo që dëgjoj, nga valorizimet, nga vlerësimet që marrim nga vendet anëtare përfshi këtu edhe Parisin se kjo storie nuk mund të injorohet dhe Maqedonia e Veriut t’i fillon bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Osmani.
Opozita maqedonase thotë se “nuk meritojmë caktimin e datës”.
Opozita maqedonase konsideron se qeveria është e paaftë për të çuar para procesin eurointegrues, andaj edhe nuk pret marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian.
“Gjasat janë të vogla. Ka mundësi, por ato janë shumë të vogla, kjo para së gjithash për shkak se ende nuk i kemi bërë detyrat si duhet. Sikur të kishim një dosje të shkëlqyer sa i përket përmbushjes së detyrimeve, do të ishte shumë e vështirë që të refuzoheshim. Paramendoni një shtet si Gjermania që ka qenë mbështetësja më e fuqishme, tani ka dilema dhe kërkon që çështja e datës të mbetet për në vjeshtë”, ka deklaruar Ilija Dimovski nga VMRO DPMNE-ja.