Negociatat e Shqipërisë me BE-në mund të shtyhen për në vjeshtë
Vendet e Bashkimit Europian shfaqën qëndrime të ndryshme në lidhje me datën e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatë një takimi jozyrtar të ambasadorëve të vendeve anëtare me komisionerin për Zgjerimin Johanes Hahn, nuk u ra dot dakord për një datë të mundshme për çeljen e negociatave.
Vendet e Bashkimit Europian filluan diskutimin në nivel ambasadorësh mbi datën e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas lajmit të bërë publik edhe nga agjencia e lajmeve Beta, në takimin joformal të ambasadorëve të vendeve anëtare me komisionerin për Zgjerimin, Johanes Hahn, nuk u ra dot dakord për një datë të mundshme për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas burimeve që folën për agjencinë, disa vende fillimisht ishin të mendimit për çeljen e negociatave për të dy vendet njëherësh, por më vonë ndryshuan qëndrim dhe theksuan fillimin e procesit vetëm me Maqedoninë e Veriut dhe shtyrjen për në vjeshtë të datës për Shqipërinë.
Gjatë takimit u ra dakord që të nxitet drejtimi europian i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, por nuk u dhanë sugjerime konkrete.
Shqetësim për disa vende anëtare është dhe bllokimi i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ambasadorët e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian do të zhvillojnë një takim zyrtar më 12 qershor me qëllim për të arritur disa përfundime mbi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe mundësisht për të vendosur një datë për fillimin e bisedime me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, raporton gazetari Peristeri.
Në lidhje me sinjalet që vijnë nga Brukseli ka reaguar kryeministri maqedonas Zoran Zaev. Pas takimeve me krerët e Komisionit Europian, Zaev tha se mosçelja e negociatave nga ana e BE-së, do ta rrezikojë qeverinë e tij dhe mund të kthejë në pushtet opozitën nacionaliste.