“Rama Ik” në stadium, aksion politik që mund të na penalizojë nga UEFA?

Mbrëmjen e së martës, në “Elbasan Arena” kombëtarja jonë e futbollit luajti kundër Moldavisë në ndeshjen e katërt eleminatore të Euro 2020, duke fituar me rezultatin 2-0.

Pak pas nisjes së pjesës së dytë, në fillim të tribunës E, disa tifozë shpalosën një flamur të madh kombëtar, dhe më pas sipër tij vendosën disa shkronja, të cilat formonin fjalën “Rama Ik”.

Në fillim ishte e paqartë se cilit grupim i përkisnin këta tifozë, ndërsa mediat shkruan se ishin “Tifozë Kuq e Zi”.

Në fakt, e vërteta është zbuluar këtë të mërkurë, kur kanë qenë vetë disa anëtar të FRPD-së, të cilët kanë publikuar fotot nga stadiumi si dhe flamurin kombëtar me mbishkrimin “Rama Ik”.

Mes tyre qëndron edhe kryetari i FRPD-së Belind Këlliçi, që tregon se gjithçka ka qenë e mirëmenduar. Veç parullës së shpalosur, ky grupim gjatë ndeshjes ka thirrur në kor “Rama Ik”.

Nuk dihet nëse delegati i ndeshjes e ka shënuar në protokollin e tij këtë veprim, por nëse kjo ka ndodhur, pritet që kombëtarja të jetë objekt disiplinor në UEFA, pasi në stadiume janë të ndaluara thirrjet me prirje politike apo shpalosja e parullave me mesazhe të tilla, duke u dënuar me gjobë apo deri në luajtjen e ndeshjeve pa tifozë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT