The Guardian: Edi Rama, kryeministri i pazakontë i Shqipërisë që dëshiron t’i shpëtojë “mallkimit të historisë”
Gazeta The Guardian i ka dedikuar një artikull të gjatë këtë të hënë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke u fokusuar në problemet e shumta që Shqipëria po kalon.
Më poshtë po e publikojmë të plotë:
Artisti dhe ish basketbollisti po përballet me një betejë të vështirë për ta vënë Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dëshiron që të jetë njeriu që e vendosi vendin e tij në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por ai po përballet me dy probleme të mëdha.
Në Evropë, udhëheqësit e lodhur nga zgjerimi po luajnë lojëra të vështira. Në një kohë, kur ndjenjat populiste dhe europesimiste janë rritur ata janë tepër të kujdesshëm me pranimet e reja. Ndërsa në atdhe Rama po përballet me demonstrata javore kundër tij, nga një opozitë që është gjithashtu pro-BE, por akuzon qeverinë e tij për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar dhe po kërkon zgjedhje të parakohëshme.
Në një intervistë në zyrën e tij në qendër të Tiranës javën e shkuar, Rama tha se për Shqipërinë, anëtarësimi në BE ishte që “më në fund të kishte mundësinë për të vendosur veten në një zonë të sigurt nga mallkimi i historisë”.
Shqipëria ishte vendi i fundit në Europë që hodhi poshtë sundimin komunist, në vitin 1992, pas dekadave gjatë të cilave vendi iu nënshtrua terrorit dhe izolimit nën diktaturën e Enver Hoxhës, një stalinist paranojak ballkanik.
“Ne ishim Koreja e Veriut e Evropës”, tha Rama. “Ishim të izoluar nga perëndimi dhe të izoluar nga lindja. Kemi pasur regjimin më mizor komunist. Kjo është arsyeja se pse ne jemi kaq pro-amerikan, pro-NATO, pro-BE … Ne kemi muslimanët më pro-evropianë në botë.” Në një sondazh të vitit të kaluar, 95% e popullsisë tha se besonte se Shqipëria do përfitonte nga anëtarësimi në BE.
Pas rënies së komunizmit, Shqipëria u “mbërthye” nga një kapitalizëm i egër dhe qindra mijëra shqiptarë u nisën për në Itali dhe vende të tjera evropiane. Midis tyre ishin fara e bandave kriminale, të cilët u përhapën në të gjithë Evropën dhe u infiltruan në politikën e vendit të vet. Detyra e Ramës ishte të bindë Komisionin Evropian se reformat po përparonin, megjithëse ngadalë, ndonëse edhe kritikët vendas e akuzojnë atë se po udhëheq një system të kalbur.
Raporti i Komisioni Evropian I muajit të kaluar tha se si Shqipëria ashtu dhe Maqedonia e Veriut kishin reformuar mjaftueshëm për të filluar procesin e pranimit në BE, por vendimi përfundimtar I takon udhëheqësve politikë të Evropës, dhe për momentin duket e pamundur që samiti I këtij muaji të ndezë dritën jeshile.
Rama akoma shpreson t’iu ndryshojë mendjen. Mes liderëve evropianë, ai ka arritur të ketë një reputacion si një tip jokonformist, që kur erdhi në pushtet në vitin 2013. Një artist dhe ish-lojtar profesionist i basketbollit, ai I priti gazetarët e Gardian i veshur, si zakonisht, me T-shirt dhe atlete.
Një kosh basketbolli ndodhet në dhomën e pritjes jashtë zyrës së tij të punës, ndërsa brenda zyrës vetë, muret janë të mbuluara me skica me ngjyra të ndezura që Rama i bën, teksa punon në tryezën e tij. Njëri prej tyre është një imazh i Alastair Campbell i ironizuar si heroi kombëtar shqiptar Skënderbeu, në kalë me shpatë në njërën dorë dhe një iPhone në tjetrën. Rama thotë se Tony Blairin e frymëzon politikisht, ndërsa ka angazhuar Campbellin si këshilltar politik. Të dy mbeten “miq të mirë”, tha ai.
Ndërsa liderët evropianë shqetësohen problemet e brendëshme politike në lidhje më hapjen e negociatave të reja, në një kohë kur ka pak oreks për zgjerimin, detyra e Ramës me raste nuk ka qenë aspak tërheqëse.
“Mund t’ju them se Angela Merkel e kupton plotësisht. Ajo është rritur në një vend komunist, “tha ai. Udhëheqësit e tjerë janë më të vështirë për t’u bindur. Në një samit të BE në Sofje vitin e kaluar, Rama dhe presidenti fracez Emmanuel Macron diskutuan të tensionuar mbi kohën kur Shqipëria do pranohej në BE.
Gjatë intervistës, Rama duke e parë pozitivisht hapjen e negocaitave për prani, paralajmëroi se Rusia, Kina apo radikalët islamikë mund të mbushin boshllëkun nëse BE linte pas dore Shqipërinë, pika që i janë thënë shumë herë udhëheqësve evropianë.
Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Ramës, tha se ai besonte se si Rama ashtu edhe Zoran Zaev i Maqedonisë së Veriut duhet të shpërblehen për reformat e vështira që kanë bërë. “Unë mendoj se ata të dy janë trajtuar shumë keq. Ata morën vendime shumë të vështira, rrezikuan mandatet e tyre, nganjëherë jetët e tyre … Na fusni në “shina, në rrugën e shpejtë ose atë që zgjat disa vjet. Le të vlerësohet progresi, por të mbahen premtimet.”
Nuk është vetëm Brukseli që po e bën Ramën të kalojë momente të ndërlikuara, pasi protestat javore kundër qeverisë së tij janë intensifikuar. Fundjavën e kaluar, mijëra njerëz u mblodhën në rrugën kryesore të Tiranës, në një tubim të zhurmshëm dhe të mirëorganizuar, me flamuj, balona dhe fishekzjarre. Ata të mbledhur bërtitën “Rama, ik!” dhe hodhën objekete piroteknikë të bollshme në drejtim të zyrës së kryeministrit, ndërsa policët i vëzhguan.
“Ne kemi një kryeministër autoritar, arrogant dhe jo transparent”, tha Albana Vokshi, një deputete e Partisë Demokratike të opozitës, forca lëvizëse pas protestave. Ajo dhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike lanë parlamentin dhe kërkojnë që Rama të japë dorëheqjen.
Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje që zgjedhjet lokale të 30 qershorit të shtyhen, ndërsa Rama ka këmbëngulur se do të vazhdojë pa opozitën, duke thënë se ai nuk dëshiron të shpërblejë protestat në rrugë. Është vendosur që këtë javë të fillohet një votim në parlament për të hequr presidentin, duke e zhytur vendin në një krizë të plotë kushtetuese, teksa negociatat për pranim në BE afrojnë.
Pak muaj kalojnë pa një skandal të ri që lidh pushtetin me krimin. Një ish-ministër i brendshëm së shpejti pritet të dalë në gjyq për akuzat për trafik droge. Javën e kaluar, gazeta gjermane Bild publikoi përgjime në të cilat dëgjohet një figurë famëkeqe e botës së krimit, duke diskutuar zgjedhjet e vitit 2017 me dy kryebashkiakë nga Partia Socialiste e Ramës.
Rama nuk pranoi të thoshte nëse ai do të dënonte kryetarët e komunave, duke pretenduar se ata nuk mund ta dinin që bashkëbiseduesi i tyre ishte një figurë kriminale, pasi ai u arrestua më pas për akuzat për trafik droge.
Ai e pranoi se Shqipëria kishte ende probleme me korrupsionin dhe krimin, por këmbënguli që qeveria e tij po merrte hapa realë për t’i luftuar ata dhe donte që ta bënte këtë me ndihmën e BE-së. I gjithë gjyqësori i është nënshtruar një procesi vettingu, ndërsa agjencia e kufirit e BE-së Frontex ka nisur misionin e saj të parë jashtë BE-së, për të ndihmuar në luftën kundër krimit ndërkufitar në Shqipëri.
Ndërkohë që mbështetja ndërkombëtare për Ramën është dobësuar pasi është krijuar ideja se lufta kundër korrupsionit gjatë udhëheqjes së tij ka qenë sipërfaqësore. Nga ana tjetër, pak vëzhgues neutralë besojnë se Partia Demokratike është më pak e ndikuar nga skandalet e blerjes së votave apo lidhjet shqetësuese me krimin . “Ne nuk duhet të ndryshojmë vetëm qeverinë. Ne kemi nevojë për një sistem të ri, një zgjidhje për dekadat e ardhshme “, tha Blendi Fevziu, një gazetar I hershëm që drejton programin e debatit më të ndjekur politik në vend.
Për Ramën, përkundër dëshirës së madhe për të hyrë në BE, ekziston edhe një shqetësim i vazhdueshëm për atë që saktësisht BE mund të jetë në kohën kur Shqipëria t’i bashkohet.
“Duket sikur jemi të mallkuar, sepse kur BE ishte mirë, ne ishim keq; tani që ne po përmirësohemi, BE-ja ka problem,” tha ai. Në veçanti, ai e sheh Brexit me mosbesim, duke shprehur habinë e tij se Partia Laburiste kishte dëbuar mikut të tij të vjetër, Campbell.
“Ajo që po ndodh në Britani është shumë ballkanike. Marrëveshje, pa marrëveshje, kufinj të lehtë, kufinj të vështirë, pa marrëveshje. Ballkani është kështu! Është si parlamenti i Bosnjes. Ndërkohë që ne po përpiqemi të bëhemi Evropianë, duket sikur ata po ballkanizohen. ”
Burimi: The Guardian