Albin Kurti si zgjidhje për Kosovën dhe shpresë për Shqipërinë

Nga Reil Sokolaj

Albin Kurti si zgjidhje për Kosovën dhe shpresë për Shqipërinë Jordan Peterson ( sipas Times intelektuali publik aktualisht më influencues në botën perëndimore ) nënvizon se në ndryshim nga demokracia apo kapitalizmi, hierarkia nuk është një strukturë sociale e imagjinuar nga njeriu, por një nga diktimet e shumta të natyrës në raport me dinamikat sociale.

Dëshmi për këtë është fakti se shumë gjallesa të tjera, e organizojnë jetën e tyre sociale sipas boshtit të një hierarkie të caktuar në krye të të cilës qëndron një prej tyre pavarsisht se asnjë nga gjallesat tjera përveç nesh njerëzve, s’kanë as kapitalizëm as demokraci.

E megjithëse është diktim i natyrës dhe nevojës për organizim të shumë krijesave të gjalla, kjo s’e bën hierarkinë domosdoshmërisht perfekte, përkundrazi. Duke u rikthyer tek njerëzorja, hierarkia ka shumë të meta, e megjithatë mbetet e vetmja formë e deritanishme funksionale në sferën e organizimit (sidomos atij politik), gjithmonë kur ngritja e saj bazohet në kompetenca e vlera. Ndërkohë që sistemet politike kanë ndryshuar herë pas here, sot organizimet përfaqësuese të interesave të shtresave të caktuara të shoqërisë njihen si parti politike. Shpesh në mediat tona ndoshta edhe paqëllimisht kryetarët e këtyre partive njëhsohen automatikisht edhe me etiketën e liderit duke e inflacionuar këtë term pa nevojë dhe për pasojë edhe zhvlerësuar vlerën e asaj që përfaqëson vetë lideri. James Comey, ish-drejtor i përgjithshëm i FBI-së, në faqet e para të librit të tij “ Besnikëri më e lartë “ shkruan se ne nuk duhet të ngatërrojmë dikë që mban përkohësisht një post drejtues me dikë që është lider dhe sigurisht që për këtë ka krejt të drejtë. Që një drejtues të jetë edhe lider, ai duhet të ketë tre forca mbështetëse të staturës së tij publike: forcën e karakterit, forcën e intelektit dhe forcën e artikulimit.

Aktualisht, Kosova është në pritje të përcaktimit të zgjedhjeve të reja dhe ndër ata që do të jenë në garë për të fituar besimin e popullit për t’u ngjitur në krye të hierarkisë së organizimit politik vendas, vlen t’i jepet më shumë vëmendje atij që qëndron në avant-garde se sa atyre që mëkatet e jetës politike i mbajnë peng. Fjala është për Albin Kurtin, liderin e Vetvendosjes dhe pretendin e vetëm dinjitoz për drejtimin e Kosovës. Arsyeja pse Albin Kurti e meriton të quhet lider lidhet me raportin që aktivizmi i tij politik ka me tre shtyllat që përmenda më sipër. 1 Së pari forca e karakterit të një individi qëndron në këmbë vetëm falë pastërtisë së tij morale. Kurti me një idealizëm krejt të pazakontë për skenën politike bashkë-kohore Shqiptare, ruan të pacënuar figurën e tij falë dedikimit të sinqertë ndaj kauzave të drejta dhe mungesës së vullnetit për të bërë kompromise në kurriz të këtyre kauzave.

Kjo i jep atij besueshmëri në publik e për pasojë edhe autoritetin e domosdoshëm që dinjiteti i një drejtuesi dhe i popullit që ai pretendon të drejtojë, meriton të ketë. Së dyti, në rrafshin intelektual, Albin Kurti është lehtësisht i dallueshëm për nga përgatitja që ka në raport me politikanët e tjerë të rangut të tij, jo vetëm në Kosovë, por edhe këtej kufirit në Shqipëri. E intelekti është brumi prej ku një lider gatuan vizionin që ka për shoqërinë që drejton. Por jo vetëm kaq! Intelekti është gjithashtu edhe shkalla sipërore prej ku sensi i drejtësisë dhe i modestisë janë më të prekshme e për pasojë ndikimi i një lidershipi të tillë në shoqëri është detyrimisht edhe më pozitiv. Së treti, por jo më pak e rëndësishme se dy të parat, oratoria, është edhe ura e domosdoshme që lidh vizionin për të ardhmen me popullin, shpresat e të resë me zemrat e zhgënjyera të së tashmes dhe energjinë e veprimit me vullnetin për ndryshim.

Albin Kurti, përfaqëson në këtë rrafsh një orator sa frymëzues aq edhe karizmatik dhe sa largpamës aq edhe më këmbë në tokë. Qysh prej shpalljes së Pavarësisë, Kosova është drejtuar nga qeveri që kanë rrënuar ekonominë e vendit dhe dobësuar pozitat e njoma të sovranitetit të një shteti të ri. Ndërkohë, drejtuesit politik në Shqipëri jo vetëm që nuk kanë dhënë një shembull të mirë bashkëkombasve të tyre në Kosovë, por përkundrazi kanë qenë një impuls negativ. Për gjithë këto arsye zgjedhja e Albin Kurtit në krye të qeverisë se atjeshme, është jo vetëm zgjidhja më e mirë për Kosovën, por edhe një shpresë për mirë për ne në Shqipëri. Në këtë mënyrë më së fundmi, do kishim një kryeministër Shqiptar dinjitoz, si etalon krahasimi për pushtetarët tanë. Për pasojë do shmangej edhe qerthulli tashmë bajat ku pushteti aktual shpesh “amnistohet” për abuzimet skandaloze, vetëm sepse dikush kujtohet të përmendë se ai para-ardhësi ka qenë të paktën po aq abuzues, ose ndoshta edhe më shumë.

Ndërkohë, Kosova, do kishte një kryeministër që është edhe lider, një nacionalist që është i tillë vetëm si patriot e jo si populist dhe një progresist që i tillë është si partizan i një shoqërie më të drejtë e solidare dhe jo si kujdestar i vazhdimësisë së ndarjes së thellë socio-ekonomike./dritare.net

Back to top button
LAJMET E FUNDIT