Ambasadori Kosnett: Kosova ia del mbanë kur sundimi i ligjit të respektohet

Ambasadori i SHBA në Kosovë, Philip Kosnett, në një postim në rrjetin social Tëitter këtë të premte ka shkruar se mënyra se si situata pas dorëheqjes së kryeministrit do të menaxhohet do të shfaqë forcën e institucioneve dhe gatishmërinë e zyrtarëve të Kosovës për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjet.
Në postimin e shoqëruar nga një ilustrim mjaft domethënës, Kosnett shkruan: “Po e ndjekim nga afër si po përballet Kosova me dorëheqjen e kryeministrit, (që ndodh) për herë të parë. Mënyra se si do menaxhohet kjo çështje do të dëshmojë fuqinë e institucioneve të Kosovës dhe gatishmërinë e zyrtarëve për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjet”.
Në ilustrimin që shoqëron postimin, nga ana tjetër një pikëpyetje e madhe shoqëron thëniet “Përditësimi i sundimit të ligjit” dhe “Kosova ia del mbanë kur sundimi i ligjit të respektohet”.
Kujtojmë se Ramush Haradinaj dha të premten e kaluar dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryeministrit, pasi mori thirrje për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë, e cila është pjesë e Gjykatës së Posaçme dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Të mërkurën ai është paraqitur atje, por nuk i është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve në Hagë, duke ndjekur këshillën e mbrojtësve të tij ligjorë për të shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje.
Dorëheqja e tij krijoi një situatë të paprecedent për shtetin e Kosovës dhe vendi ndodhet para zgjedhjeve të parakohshme. Të gjitha partitë politike, në fakt, janë shprehur në favor të tyre.
Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se javën qe vjen do të fillojë këshillimet me partitë politike për veprimet e mëtejshme.
Burimi: VoA
