Daçiç: Kosova mbetet Serbi, çdo marrëveshje duhet të kalojë nga ne

Marrëveshja e fundit mes Shqipërisë dhe Kosovës për të koordinuar përfaqësitë diplomatike në botë vijon të dominojë debatet politike në Beograd.

Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në Poloni se ky bashkëpunim zyrtar nuk tenton të kërcënojë Serbinë, ka reaguar sërish kryediplomati serb, Ivica Daçiç.

Në një intervistë me “Kurir”, ministri i jashtëm i Serbisë Daçiç theksoi të dielën se Kosova mbetet pjesë e Serbisë dhe çdo marrëveshje dyshtetërore duhet të kalojë prej saj.

Daçiç tha: “Nesër edhe Ministria e Jashtme e Serbisë mund të marrë vendimin që të njesojë politikën e vet të jashtme me Banjalukën serbe të Bosnjë-Hercegovinës. Përderisa Prishtina nuk ka një politikë të jashtme të pavarur dhe Kosova është pjesë integrale e Serbisë, kryeministri duhet ta kishte arritur këtë marrëveshje me Beogradin dhe jam i sigurt se nuk do të ndjehej i kërcënuar”.

Kryediplomati serb kritikoi edhe zyrtarët europianë, të cilët sipas tij po heshtin ndaj planeve të Prishtinës dhe Tiranës për të formuar “Shqipërinë e Madhe”.

Daçiç shtoi: “Në vend që të udhëheqin BE-në dhe t’i shprehin qartë pikëpamjet e tyre, zyrtarët europianë sillen si liderët shpirtërorë të Tibetit. Mendojnë shpirtërisht për problemet e kontinentit por askush nuk jep asnjë zgjidhje konkrete se çfarë duhet bërë”.

Të martën, ministri i jashtëm në detyrë Gent Cakaj dhe ministri i jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli theksuan se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Kosovës ngrihet mbi tri shtyllat politike, diplomatike dhe profesionale, dhe të hapjes të një kapitulli të ri bashkëpunimi e integrimi mes dy vendeve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT