Europol në Shqipëri, hapet zyra e oficerit ndërlidhës

Nga dita e sotme, një oficer i Europol do të jetë në Policinë e Shtetit.
Të pranishëm kanë qënë ambasadori i BE Soreca, drejtori i përgjithshëm Ardi Veliu dhe drejtoresha e Europol.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu vuri theksin në angazhimin e policisë së shtetit në zhvillimin e operacioneve ku është bashkëpunuar me Europol.
Ai tha se tashmë synohet pjesëmarrja në projekte të tjera ndërkombëtare të ruajtjes së rendit dhe sigurisë.
“Hapet zyra e oficerit ndërlidhës të Europol. Inaugurimin e kësaj zyre kemi nderin ta bëjmë sot. Lufta kundër krimit të organizuar nuk do të ketë sukses, nëse nuk ka bashkëpunim me ndërkombëtarët. Bashkëpunimi është domosdoshmëri për të krijuar më shumë siguri. Policia ka kontribuar për të rritur sigurinë në vend. Europol synon të përmirësojë bashkëpunimin mes agjencive ligjzbatuese kundër krimit të organizuar”, tha Veliu.
Më tej, kryepolici Veliu renditi disa nga operacionet kryesore të Europol, në të cilat ka marrë pjesë edhe policia shqiptare.
“Gjatë 2018, nga Europol janë zhvilluar 8 operacione, ndërsa gjatë këtij muaji janë zhvilluar 3 operacione ndërkombëtare të rëndësishme, ku ishte pjesëmarrëse edhe Policia e Shtetit. Operacioni për ilaçet e falsifikuara, operacioni për trafikimin e produkteve ushqimore të falsifikuara dhe operacioni për goditjen e grupit kriminal që kishte kontrabanduar, shitur e shpërndarë drogë në SHBA. Shqipëria bën pjesë në 11 projekte analitike të Europol.
Në të ardhmen do jemi pjesëmarrës në operacione të tjera. Të gjitha këto tregojnë angazhimin dhe seriozitet e policisë në luftën kundër krimit brenda dhe jashtë vendit”, shtoi drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.