Fushatë e ashpër: Rusia dhe Serbia heq vizat për shtetet që ia tërheqin njohjen Kosovës

Vendimin për tërheqjen e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur, sipas Ministrisë së Jashtme të Serbisë, deri më tash e kanë tërhequr 13 shtete.
Bëhet fjalë për vendet: Sao Tome dhe Principe, Surinami, Guineja Bisao, Burundi, Liberia, Papua Guineja e Re, Lesoto, Republika Domenikane, Grenada, Bashkimi i Komoreve, Ishujt Solomon, Madagaskari dhe Palau.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ia ka dhënë Radios Evropa e Lirë kopjet e notave diplomatike, me të cilat këto shtete e informojnë këtë ministri për vendimet e veta.
Të gjitha informacionet lidhur me tërheqjen e njohjeve të Kosovës, kanë arritur deri te publiku nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë.
Qeveria e Serbisë, pas dërgimit të notave diplomatike nga shtete të caktuara për tërheqjen e njohjes së Kosovës, ka sjellë vendime për heqjen e e regjimit të vizave për qytetarët e atyre shteteve.
Me gjashtë shtete nga 13 sosh, sipas të dhënave që ka siguruar Radio Evropa e Lirë, Federata Ruse ka arritur marrëveshje bilaterale dhe për dallim nga Serbia, këto marrëveshje i ka arritur para se ato shtete t’i tërheqin njohjet për Kosovës.
Sipas të dhënave të ofruara në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, Qeveria e Serbisë i ka hequr vizat për qytetarët e Surinamit, Burundit, Republika Domenikane, Grenadës dhe Palaut, ndërkaq me Lesoton është nënshkruar marrëveshja në fushën e ekonomisë.
Vendimet për heqjen e vizave janë sjellë pasi që vendet e caktuara kanë tërheqë njohjet për Kosovën, gjë që vërehet nga komunikatat në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, përveç në rastin e Grenadës dhe Republikës Domenikane, të cilave u janë hequr vizat pesë ditë para se këto shtete ta kenë suspenduar vendimin me të cilin e kanë njohur Kosovën.
Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, përmes qasjes në dokumentet zyrtare, Federata Ruse ka nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim bilateral me: Surinamin, Burundin, Republika Domenikane, Grenadën, Madagaskarin dhe Papaun, para se këto shtete ta kenë tërhequr, siç thuhet, njohjen për Kosovën.