Garancia, shteti ende i pashlyer 6 muaj pas skandalit me DH Albania

Nuk po përfundon odiseja e shtetit shqiptar me firmat DH Albania, që kishte për administrator nipin e biznesmenit Bashkim Ulaj dhe Biba X shpk.

Ato duhet të shlyejnë detyrimet që kanë ndaj shtetit shqiptar për garancinë e kontratës për ndërtimin në Unazën e re në Tiranë.

Firma Dh Albania, që tashmë është vërtetuar se ishte në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj së bashku me Biba X shpk, morën nga shteti shqiptar në 02.11.2018 kontratën 7732/5 për “Rehabilitimin e segmentit rrugor mbikalimi Pallati me shigjeta, rrethrrotullimi, Shqiponja lot 1”.

Por u zbulua se dokumentet e tenderit ishin krejtësisht të falsifikuara dhe autoritetet shtetërore ishin përfshirë hapur në favorizim.

Vlera e tenderit ishte afro 40 milionë euro dhe garancia merret përsipër nga kompanitë e sigurimeve që sigurojnë kontratat.

Por këto nuk duan të paguajnë duke argumentuar se firmat që kanë hyrë në tender kanë falsifikuar dokumentet, kështu që shteti duhet t’ua marrë këto para firmave vetë.

Por ndonëse kanë kaluar 6 muaj nga momenti i zbulimit të mashtrimit, ende kompanisë fantazmë nuk i janë konfiskuar 1.8 milionë eurot e garancisë siç e parashikon ligji i prokurorimit publik.

Çështja e lekëve që duhet të futen në buxhetin e shtetit tashmë do të mbetet në vlerësimin e gjykatës.

Ndërkohë prej 200 ditësh, te Unaza e re e Tiranës vazhdon të protestohet nga ana e banorëve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT