Haradinaj kthehet nga Haga: Nuk na imponohet Dodik Republika

Kryeministri i Kosovës ende në detyrë, Ramush Haradinaj është kthyer nga Haga në Prishtinë mbrëmë pak para mesnatës.

Menjëherë, Haradinaj ka ftuar mbledhjen e Qeverisë e cila do të mbahet sot në orën 14:00.

“Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes është jo kushtetuese. Me respekt për ta i ftoj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta respektoj”, përfundoi Haradinaj.

Kjo mbledhje është thirrur një javë pasi që Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, pasi ishte ftuar nga Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar si i dyshuar.

Ramush Haradinaj më 24 korrik, për rreth 1 orë u intervistua nga prokurorët e Gjykatës Speciale.

Postimi i Haradinajt

Të dashur qytetarë,

Sapo u ktheva nga Haga, e nesër vazhdojmë me punë. Pas dorëheqjes sime kam kryer obligimin ligjor pranë Prokurorisë së Dhomave të Specializuara. Pafajësinë time nuk mund ta vë në pikëpyetje askush. I kthehem obligimeve të mia në Kosovë. Vendimi im për dorëheqje dhe veprimet e mia të fundit janë porosi se çfarëdo abuzimi ndaj Kosovës, që vjen, nuk do të na lëkundë nga e drejta jonë sovrane. Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush. Kosovës nuk mund t’i imponohet Dodik Republika. Tregu për njohje po, e taksa deri në njohje. Dialog pa kushte, po menjëherë.

Të dashur qytetarë,

Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes, është jo kushtetuese. Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakuum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës. Me respekt për ta, palët që mendojnë ndryshe i ftoj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta respektoj.

Na priftë e mbara!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT