I dha pafajësinë Metës për videon me 7%, kush është kreu dhe anëtari i vetëm i Gjykatës së Lartë

Xhezair Zaganjori para disa ditesh u shkarkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Sipas KPA, Zaganjori nuk justifikonte pasurinë prej 1 miliard lekësh.
Pas shkarkimit, vendin e tij do ta zërë Ardian Dvorani, ose i quajtur ndryshe, “sheiku” i Gjykatës së Lartë, Ky i fundit kaloi vettingun edhe pse harroi të deklaronte 100 milion lekë gjatë procesit.
Në vendimin e KPK për të thuhej:
Në parashtrimet e tij, subjekti pranon një pasaktësi të dukshme në formularin e deklarimit të pasurisë për Vetting, për shkak së nuk gjenden fizikisht katër faqe me deklarimin e likuiditeteve, dhe e shpjegon mungesën e deklarimit të të gjitha likuiditeteve të tij dhe personave të lidhur me të, për shkak të pakujdesisë dhe ngarkesës në momentin e mbledhjes së të dhënave për plotësimin e Deklaratës – Vetting, pa asnjë lloj motivi dhe qëllimi për fshehje pasurie, duke reflektuar një qëndrim kritik ndaj vetes për këtë pakujdesi, si dhe duke argumentuar ndërkohë mungesën totale të fshehjes së pasurisë (likuiditetet e padeklaruara).
Ndërkohë Partia Demokratike e ka akuzuar disa herë Dvoranin për lidhje me qeverinë Rama. Sipas PD, Dvorani ka privatizuar tre banesa në konflikt interesi, ndërsa ka qëndruar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse mandati i kishte skaduar.
Gjithashtu Dvorani shpalli të pafajshëm presidentin Ilir Meta, për videon e famshmë të 7% me Dritan Priftin. Dvorani njëkohësisht është edhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ai u shpreh disa ditë më parë se puna për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese do të vazhdojë, edhe nëse presidenti nuk shprehet.