Kush janë kandidatët për prokurorë të SPAK dhe dosjet që kanë patur

Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjodhi një ditë më parë 15 emrat e prokurorëve, të cilët do të vijojnë garën për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.
Altin Dumani, Anton Martini, Elisabeta Imeraj, Arben Kraja, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Manjola Kajana, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini, Ndini Tavani, Behar Dibra, Anita Jella dhe Besnik Muçi; janë ata që do të vijojnë më tej garën për në SPAK.
Por kush janë disa prej këtryre prokurorëve? Cilat kanë qenë disa nga çështjet më të nxehta që ata kanë pasur nëpër duar?
Megjithëse një pjesë e mirë e tyre nuk e kanë kaluar ende procesin e vettingut, ata vlerësohen për mënyrën se si kanë hetuar këto çështje dhe qëndrimet kanë mbajtur.
Altin Dumani, i moshës 45 vjeç, është nga Shupenza e Dibrës.
Hetoi 29 të pandehurit e Gërdecit dhe kërkoi 3 dënime të përjetshme për tre nga të pandehurit kryesorë të krimit të 15 marsit 2008.
Për të nuk ka dalë ende një datë nga vetting-u. Dumani u vlerësua me pikë maksimale nga KLP.
Anton Martini, i moshës 45 vjeç është nga Tropoja. Përfaqësoi akuzën e shtetit në gjykatë kundër bandës së Durrësit, ku edhe kërkoi burgim të përjetshëm për kreun e këtij grupi.
Për disa vite u vu në kërkim të gjurmëve të vogëlushes së zhdukur, Bleona Mata, por pas sukses.
Kërkoi dënim me burg përjetë edhe për Arben Frrokun.
Ai nuk ka kaluar ende vettingun dhe mori vendin e dytë në pikëzim.
Elizabeta Imeraj, e moshës 40 vjeç është nga Tropoja. Vajzë ushtaraku, e diplomuar me medalje në Shkollën e Magjistraturës.
Ajo hetoi grupin e Emiliano Shullazit, bëri dëshmitar për këtë dosje Ylvi Beqen, hetoi nëntë persona në dosjen imamët, ndërsa aktualisht drejton Prokurorinë e kryeqytetit.
Përherë e veshur me xhaketë e pantallona, Imeraj e nisi karrierën në Prokurorinë e Shkodrës.
Imeraj është gjithashtu në pritje të vettingut.
Arben Kraja, i moshës 47 vjeç nga Shkodra, aktualisht është prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.
Çështja e tij më e fundit është ajo e akuzimit të ish-gjyqtares së lartë, Majlinda Andrea, e shpallur fajtore për afera korrupsioni.
Prozhektorët e medias u kthyen ndaj tij vite më parë atëherë kur hetoi Lulzim Bashën në atë kohë ministër i Jashtëm, por që iu nënshtrua hetimeve në pozicionin e ish-ministrit të Transporteve.
Basha së bashku me ish-zyrtarë të rrugëve, u vendos nën përgjegjësi për rrugën Durrës-Kukës. I iku gjykimit me procedurë.
Arben Kraja është konfirmuar në detyrë nga Vetingu.
Doloreza Musabelliu, 39 vjeç është nga Poliçani i Skraparit. Është një nga magjistratet e diplomuara shkëlqyer.
Ka hetuar për korrupsion ish-gjyqtarin Ibrahim Hoxha, italianin Guido Guidi, piloti që ngeci në Ishëm, ndërsa aktualisht ka në dorë dosjen Toyota Aurus me miliona euro të sekuestruara në Durrës.
Ka qenë gjithashtu drejtuese e njësisë Task Forcë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe e ka lënë këtë detyrë në vitin 2017. Është në pritje të vettingut.
Klodian Braho, i moshës 37 vjeç është nga Skrapari. E nisi karrierën në njësimë antikorrupsion në Vlorë ku spikati me hetimin ndaj ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika, një gjykim i cili për shkaqe sigurie u zhvendos që të kryhej në kryeqytet.
Hetoi dhe arrestoi për korrupsion ish-gjyqtarin e Apelit, Shkëlqim Miri, ka vendosur sekuestro ndaj aseteve pasurore të ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, të cilin gjithashtu e ka nën hetim për korrupsion.
Klodian Braho është në pritje të vettingut.
Enkeleda Millonai, e moshës 39 vjeç është nga Berati. Beqare dhe larg mediave drejton përkohësisht akuzën e Elbasanit.
Thuhet se drejtuesit e Prokurorisë së Elbasanit e kanë shmangur nga hetimi i dosjeve të forta për shkak të qëndrimit të saj të prerë.
Në magjistraturë është diplomuar me pikët maksimale.
Kur Krimet e Rënda shpallën moskompetencën për ngjarjen e tregut agro-ushqimor, ajo këmbënguli që kjo ngjarje të hetohej si krim i rëndë.
Manjola Kajana, 37 vjeç është nga Burreli. Kajana, e cila aktualisht është prokurore te Krimet e Rënda mbulon gjithashtu edhe koordinatoren me mediat.
Ajo përfaqësoi në gjykatë dosjen e trafikut të heroinës ndaj trafikantit Arben Prendi, që mbulonte linjën e trafikut me Kosovën, hetoi pasuritë e grabitësit të vrarë, Admir Murataj dhe familjarëve të tij, hetoi dosjen e Durim Bamit atëherë kur ai u shfaq në një video-regjistrim, duke folur për një atentat të mundshëm ndaj Tom Doshit.
Ajo është konfirmuar në detyrë nga vettingu.







