“Pas pesë vitesh, Shqipëria do të ndahet nga hijet e të shkuarës”

Ashtu si Dita ka raportuar, Linda Rama, gruaja e kryeministrit të Shqipërisë, ka qenë folësja kryesore në Samitin Global të Gruas në Londër. Gjatë qëndrimit të saj në kryeqytetin britanik, znj. Rama ka folur dhe për disa media vendase.
Në fakt ajo ka dhënë intervista edhe për dy revista mjaft të ndjekura në Britani, për London Business Magazine dhe për Together Magazine.
Në intervistën e saj për Together, titulluar “Gratë janë heroinat e kohëve tona,” znj. Rama është fokusuar kryesisht në jetën e saj si nje grua shqiptare, nje jetë e jetuar gjysëm në komunizëm e gjysëm në demokraci. Në këtë intervistë, znj. Rama ka vënë theksin në fuqinë e të qënit grua, si dhe në përpjekjet e tyre për barazi gjinore.
Zonja Rama e ka mbyllur intevistën e saj, inspitruese me një mesazh për gratë duke thënë: “Pas një rrugëtimi të gjatë, besoj se ne gratë i jemi ngjitur një mali, maja e të cilit deri dje dukej shumë larg, ndërsa sot nuk duket më… E prej këtu, ajo që duhet të bëjmë së bashku është të ecim, duke kombinuar pasionin me vetëdijen e çliruar nga frika e hezitimet, duke sfiduar të gjitha mundimet, në kërkim të majës, e cila është më afër se sa e mendojmë nëse iu besojmë syve që nuk e shohin!”.
Nga ana tjetër, ashtu si edhe fokusi i vetë revistës, fokusi i intervistës së zhvilluar për London Business, ka qenë mbi punën e saj si sipërmarrëse ndërsa është bashkëshortja e kryeministrit të vendit. Edhe në këtë intervistë, fjalët e Linda Ramës ishin të karakterizuara nga optimizmi. Në fakt e pyetur se si e shihte Shqipërinë në 5 vitet e ardhshme, znj. Rama është shprehur.
“Ka ndodhur një zhvillim mbresëlënës në Shqipëri pas viteve ‘90, po sipas meje veçanërisht në këto pesë vitet e fundit, të cilat kanë hedhur bazën e një kthese historike edhe në raport me kthimin e vendit në një atraksion turistik. Besoj që pesë vitet e ardhshme do ta konsolidojnë këtë bazë, duke hapur përfundimisht portën e zhvillimit të qëndrueshëm për Shqipërinë. Uroj që këto vite të afërta të konsolidojnë përfundimisht edhe perspektivën europiane me çeljen e zhvillimin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian. Mbase është pak po më duket e sigurt, se pas pesë viteve të ardhshëm, Shqipëria do të ndahet njëherë e mirë nga hijet e të shkuarës.”