Mbi 6 miliardë humbje në 5 muaj nga TVSH dhe taksat nacionale

As një javë nga lirimi nga detyra e Kreut të Tatimeve, Enton Duro, Kryeministri Edi Rama prezantoi publikisht drejtuesin e ri, që tashmë do të lerë detyrën në krye të Institutit të Statistikave për të marrë detyrën e re që paraqitet me një mision të vështirë.
Gjysma e parë e vitit duket jo mirë në aspektin e mbledhjes së të ardhurave.
Thuajse çdo muaj, Tatimet kanë dëshmuar mosrealizime të theksuara në krahasim me planet e fillimvitit.
Zëri më “problematik” në këtë drejtim rezulton të jetë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që është një tatim i përgjithshëm, mbi konsumin e mallrave dhe shërbimeve.
Kjo ka të bëjë kryesisht me moslëshimin e kuponit tatimor.
Por çfarë ka ndodhur me të ardhurat?
Deri më tani, kemi një panoramë të 5 muajve të parë të vitit.
Të ardhurat nga tatimet, vetëm për periudhën Janar – Maj 2019 dhe vetëm nga TVSH- ja, kanë një mosrealizim prej 4.3 miliardë lekësh.
Po njësoj, edhe të ardhurat nga taksat nacionale dhe të tjera kanë dalë ‘jashtë parashikimeve’.
Ky pesëmujor nuk ka arritur të mbledhë rreth 2 miliardë lekë.
Mbetet për t’u parë ecuria në vijim, nëse muajt e mbetur të vitit do të sjellin një “përmbysje të rezultatit” ose jo….
