Meta për ndërkombëtarët: 30 qershori i rregullt kur të fluturojë gomari

Kreu i shtetit përsëriti sot se më 30 qershor nuk ka pasur zgjedhje. Ai tha se nuk duhet dëgjuar askush që thotë se gara elektorale në vendoret e 30 qershorit ishte e ligjshme.
Nuk duhen dëgjuar as ndërkombëtarët, siç ai u shpreh, ai u thonë shqiptarëve se “gomari fluturon”.
Ai i bëri sërish thirrje për negociata politike Kryeministrit Edi Rama dhe liderit demokrat Lulzim Basha.
“Duhet të kenë të qartë shqiptarët se nuk ka pasur zgjedhje shtetërore, zgjedhje kushtetuese, zgjedhje ligjore më 30 qershor. Të thotë çfarë të dojë çdo shqiptar dhe ndërkombëtar që na thotë se gomari fluturon. Kjo mund të ndodhë në art, në piktura, por në Shqipëri gomari nuk fluturon.
Të gjitha këto manovra, përpjekje, manipulime, përfshirë edhe qoka ndërkombëtare, janë kundër standardeve për zgjedhje të lira që janë standard i panegociueshëm për të marrë provimin e vjeshtës. Nuk arrihet çelja e negociatave me qoka ndërkombëtare, vetëm me standarde.
Këtë Edi, unë dhe Luli e dimë shumë mirë. Duan ta zgjidhin diku tjetër? Ata e dinë që është një adresë serioze ku mund të shkojnë ta zgjidhin këtë dhe unë jap garanci për mbështetje”, u shpreh Presidenti.