“Nuk më bëhet vonë për kryeministra e parti, dua teatër pa kullë”

Robert Ndrenika përmes një komunikimi telefonik ka reaguar dje për thirrjet që i kanë bërë kolegët e tij që të kthehet në sheshin e Teatrit.
Përmes telefonit, Robert Ndrenika u shpreh:
Të gjitha deklaratat e mia që kam bërë, i kam bërë për të qenë transparent dhe i qartë për komunitetin teatror se nuk më bëhet vonë as për kryeministra, as për sekretarë partish, as për kryetar bashkie. Unë kam dashur të jem i qartë me shokët e kolegët e mi”.
“Unë në deklaratat e mia, gjithnjë kam dashur një teatër të ri e bashkëkohor në Tiranë. Kam qenë shumë i qartë me kolegët e mi. Dhe atë kam pasur qëllim kryesor.
S’më bëhet vonë, le të mendojnë si të dojë qeveria, kam dashur gjithnjë të ndërtohet teatër i ri, e këtë e kam thënë para se të shtrohej problemi që ka dalë tani.
Unë kam qenë gjithmonë që teatri të jetë më vete, teatri duhet më vete si kisha, si xhamia, si shkolla, si universiteti, ndaj kemi luftuar para 20 vitesh”, e mbylli prononcimin e tij aktori Robert Ndrenika.
Të premten, në sheshin e teatrit, regjisori Robert Budina i bëri thirrje Ndrenikës të vinte në sheshin e teatrit.
Mes të tjerash, Budina tha:
“E kam vëlla, e kam shok, e kam mik. Po të dojë, e ka vendin këtu dhe askush nuk e fyen Bertin”.