Punësimi i moshave të vjetra nga emigrimi i të rinjve, Shqipëria shifra rekord

Eurostat e renditi Shqipërinë me përqindjen më të lartë në rajon, të punësimit të moshave të vjetra 55-64 vjeç.
Sipas të dhënave, përqindja e punësimit në këtë grupmoshë në Shqipëri është mbi 55%, ndërsa në vendet e tjera të rajonit është shumë më e ulët.
Grupmoshat 55-64 vjeç, në Serbi janë të punësuar 45%, në Malin e Zi 43%, në Maqedoni 40% në Turqi 34%, në Kosovë 31% dhe në Bosnjë, 30%.
Përqindja e lartë e të punësuarve në moshat e vjetra në Shqipëri lidhet me nivelin e lartë të emigracionit të moshave të reja.
Ky hendek që po rritet gjithnjë e më shumë, për shkak të largimit të rinjve nga vendi, krijon hapësira për punësimin të personave edhe në moshë pensioni.
Popullsia shqiptare, aktualisht është në një moshë punë favorite, kur normat e varësisë, të rinjve nën moshën 15 vjeç dhe të moshuarve mbi 65 vjeç janë ende në raporte të ulëta në krahasim me forcën e punës.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 1979, në 100 persona, 73 ishin të rinj; në vitin 2011, kjo shifër ka qenë vetëm 47 të rinj për 100 banorë, kurse më 2018 ka pësuar ulje të mëtejshme.
Mosha mesatare e forcës së punës është mbi 40 vjeç dhe nëse do të aplikoheshin politikat e duhura, ekonomia e vendit do të ishte në kulmin e produktivitetit prej kësaj mundësie që jep forca e punës.
Forca e punës në Shqipëri është në moshën ku përvoja dhe mosha janë kombinim ideal për të prodhuar maksimumin e përfitimeve. Por këto përfitime po deformohen për shkak se të rinjtë kanë zgjedhur të emigrojnë, ndërkohë që aftësitë në moshat mbi 55 vjeç vijnë e dobësohen.
Sipas projeksioneve të fundit të INSTAT, popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme, me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi).