Rama komenton raportin paraprak të OSBE/ ODIHR: Ja si Meta ndikoi në votime

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend pasditen e së hënës, deklaroi se “pjesëmarrja e 30 Qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri” të mazhorancës dhe shtoi se rezultati tregoi se opozita nuk ka shans që të fitojë në zgjedhjet e vitit 2021.

“Pjesëmarrja e 30 Qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri tonën. Kemi marrë një numër shumë më të madh votash për kandidatët, nga një garë ku gjysma e tyre nuk kishin kundërshtarë. Po të kishte qenë garë normale, me kandidatë në çdo bashki, pa diskutim që kjo përqindje do të ishte më e lartë sesa ajo e vitit 2015. Rezultati ynë e tregoi qysh sot se pse ajo opozitë nuk ka asnjë shans rikthimi te fitorja në zgjedhjet e vitit 2021”, u shpreh kreu i qeverisë.

“E pata thënë se lufta e tyre për të prishur zgjedhjet do të përfundonte me një vrimë në ujë, por kjo nuk do t’i pengonte ta konsideronin fitore të madhe. 85% e popullit refuzoi Ramën, thonë të shkretët. Janë po këta që thonë që të gjithë shqiptarët kanë ikur nga vendi”, shtoi kryeministri.

Rama komentoi edhe raportin paraprak të OSBE-ODIHR, ai tha se mungesa e gjerë e besimit u shkaktua nga ndërhyrja e dhunshme e presidentit Ilir Meta me antidekretin e tij në mes të procesit zgjedhor.

“Ata thonë se raporti paraprak i OSBE ka konfirmuar pozicionet e opozitës protestuese dhe presidentit. Por në fakt ajo ka evidentuar një proces krejt anormal për shkak të shkeljes së kushtetutës nga ana e presidentit. Mungesa e gjerë e besimit të publikuar është një fakt i pakontestueshëm por është fakt se ka ardhur për shkak të ndërhyrjes së Ilir Metës në proces me anti dekretin e tij në proces.

Ai shantazh mpiu për një moment edhe vetë strukturat tona, lëre më zgjedhësin. Si mund të ruhej besimi pas provokimit të Ilir Metës. Politizimi i komisioneve është një fat i njohur botërisht. Kjo ishte hera e fundit që zgjedhjet administrohen nga partitë politike. Ne do depolitizojmë administratën zgjedhore. OSBE ka thënë se ka pasur probleme me verifikimin e adresave Por raporti thotë se në masë të madhe listat e zgjedhësve u hoqën nga bashkitë e opozitës nga mes të procesit zgjedhor”, tha Rama.

Rama theksoi gjithashtu se Presidenti Ilir Meta “na e bën shumë më të lehtë pozicionin tonë në sytë e popullit sepse njerëzia e sheh tani të vërtetën e armiqësisë së tij ndaj mazhorancës qeverisëse”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT