“Shtëpia me Gjethe”, magnet për turistët e huaj në kryeqytet: Shqipëria, e gjitha për t’u shijuar

Bregdeti mahnitës, plazhet përrallore dhe natyra e mrekullueshme, janë vetëm njëra anë e monedhës që ka tërhequr shumë turistë të huaj në Shqipëri. E konfirmuar tashmë si një destinacion tepër tërheqës, numri i turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë njeh vetëm rritje, ndërsa ofertat janë të larmishme.
Në rrugët e kryeqytetit ndesh turistë të kombësive të ndryshme të cilët pasi eksplorojnë Tiranën, i drejtohen edhe qyteteve të tjera nga jugu në veri.
Gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë, një magnet për turistët e huaj është edhe Muzeu “Shtëpia me Gjethe”, një ndër më të veçantët në rrjetin ballkanik të muzeve.
Për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, turistë nga Suedia, Belgjika dhe Austria u shprehën se se kjo është vizita e parë në Shqipëri dhe se çdo gjë është e mrekullueshme.
“Unë jam nga Suedia dhe është hera e parë që vij në Shqipëri. Muzeu është shumë interesant dhe i detajuar, ofron një mirëkuptim të plotë për mënyrën se si gjërat ishin në të vërtetë. Ndër objektet që më kanë pëlqyer më shumë janë statistikat. Ata kanë mbajtur statistika për gjithçka dhe ti mund t’i shohësh këto detaje dhe të kuptosh sesa shumë ata mendonin dhe sesa shumë të organizuar duhet të kenë qenë. Kjo gjë më ka bërë shumë përshtypje”, u shpreh për ATSH turisti suedez lidhur me vizitën e tij në muzeun “Shtëpia me Gjethe”.
Ai tha se do të qëndrojë rreth 4 ditë në Shqipëri. “Deri tani, kam vizituar sheshin “Skënderbej”, disa muze dhe në përgjithësi thjesht kam shëtitur në qytet. Do të mund të thoja se ky vend është pak më ndryshe nëse e krahasojmë me vendet e tjera. Vihet re se qarkullojnë makina shumë të bukura dhe kjo më ka bërë shumë përshtypje. Ushqimi këtu më ka pëlqyer shumë, ndërsa njerëzit janë shumë të sjellshëm”, tha ai.
Për një turiste nga Austria e cila viziton për herë të parë vendin tonë, muzeu ishte si të shikoje një film. “Unë jam nga Austria dhe është hera e parë që vij këtu. Mendoj se muzeu të bën obsesiv kur shoh historinë e Shqipërisë. Njerëzit janë të këndshëm, duket që kanë kaluar një luftë të madhe që prej 1912 dhe mendoj se Shqipëria po del nga një situatë e vështirë dhe duket se po ia dilni shumë mirë pas krizës politike që përjetuat në vitin 1991. Nga të gjitha objektet këtu në muze, më shumë më ka pëlqyer dhoma me të gjitha pajisjet dhe shiritat e regjistrimit. Ishte vërtet një mrekulli, të jem e sinqertë m’u duk vetja si në filmat e James Bond. Do të qëndroj tri ditë në Tiranë, në Vlorë dhe Berat. Nuk e kisha idenë fare se si ishte Shqipëria, por jam duke e shijuar, vërtet. Mendoj se është një vend shumë i bukur dhe njerëzit janë shumë të këndshëm, Ky tur nuk ka përfunduar ende, por mendoj se do të kem të njëjtin mendim”, tha ajo.
“Po është hera ime e parë në Shqipëri. Ndiej trishtimin në këtë muze. Mendoj se bëhet fjalë për dy breza të ndryshëm në këtë vend që vijnë nga njëri ekstrem tek tjetri. Një diktator që e udhëhoqi vendin për dekada dhe nuk respektonte askënd. Ne jetojmë në Austriali dhe nuk kemi shumë histori dhune në vendin tonë. Kemi qenë vërtet me fat. Këtu kam njohur dhimbjen dhe trishtimin. Për fat të mirë njerëzit tregojnë kujdes për njëri-tjetrin dhe nuk e ndiejnë historinë si individë. Objekti që më ka impresionuar më shumë është kjo tabela sepse çdo emër është një individ që ka zemër dhe shpirt, që ka një familje. Kjo përcjell shumë trishtim por edhe dhoma e torturës ku gjithkujt i lejohet të përjetojë dhe të dëgjojë një person tjetër siç bëra unë”, u shpreh një tjetër turiste austriake e cila tha se do të qëndrojë në Shqipëri për rreth 8 ditë.
“Do të zbresim në jug, në Berat, në fshatrat e bregdetit. Meqë po flasim për njerëzit dje u shoqëruam nga një udhërrëfyes i cili ishte një njeri fantastik, shpjegonte qartë dhe përdorte humorin. E përshkruante trishtimin, por bënte edhe shaka në situata të caktuara. Ushqimi është shumë i mirë dhe ndryshe nga ai që jemi mësuar ne. Njerëzit të presin mirë. Peizazhi është krejt ndryshe dhe gjithnjë në ndryshim e sipër”, u shpreh ajo.
Edhe për turistët belgë, muzeu është mjaft interesant pasi ofron shumë informacion. “Është për një periudhë që ne nuk e njohim pasi ishim shumë të rinj dhe nuk e dinim se çfarë ndodhte në Shqipëri gjatë periudhës komuniste, kështu që është shumë interesant. Nga dhomat që kemi parë na pëlqeu dhoma e dhuratave”, u shprehën ata për ATSH të cilët kanë zgjedhur të qëndrojë në Shqipëri për rreth tri javë.
“Ne filluam me Shkodrën, pastaj u ngjitëm në Theth, në Valbonë, më pas në Liqenin e Komanit. Tani jemi në Tiranë dhe pastaj do të shkojmë në Jug. Na bënë përshtypje njerëzit miqësorë, ushqimi shumë i mirë dhe peizazhi dhe natyra e mrekullueshme”, u shprehën turistët nga Belgjika duke shtuar se do të kthehen sërish në vendin tonë.
“Unë jetoj në Austri, por jam gjerman. Kjo është hera ime e parë në Shqipëri. Ky muzeum më kujton shumë gjëra nga STASI në Gjermaninë Lindore, mënyra për të kontrolluar gjithkënd, për të kontrolluar gjithë mënyrat e komunikimit dhe për të kontrolluar jetën e përditshme të gjithësecilit. Kjo ishte shumë represive dhe shumë e vështirë për t’u parë, shumë emocionuese. Është shumë e vështirë për ta thënë”, u shpreh një tjetër turist.
“Ne do të rrimë rreth gjashtë javë në Shqipëri. Deri tani kemi qenë në Veri, kemi qenë në Shkodër, në Luginën e Thethit, në Lezhë dhe tani jemi në Tiranë. Lugina e Thethit më bëri shumë përshtypje, na pëlqeu shumë, ndërkohë që ndenjëm edhe dy ditë në Kepin e Rodonit ku ishte shumë këndshëm, shumë qetë, kështu pra gjëra të tilla. Shqiptarët janë shumë-shumë mikpritës, është shumë këndshëm të jesh këtu, të gjithë ishin miqësorë, vërtetë që ne na pëlqeu shumë”, tha ai për ATSH.