“S’ka më maska. Turistët tani i presim me buzëqeshje. Bëni qejf”

Projekti “Smile Albania” ka përfshirë një numër të rinjsh të cilët ofrojnë informacion për turistët në rrugët e Shqipërisë.
Sigurisht edhe buzëqeshje.
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në një aktivitet të organizuar sot nga Ministria e Turizmit, e cila e financon projektin “Smile Albania”.
Kreu i qeverisë theksoi se punësimi i të rinjve në këtë projekt është “një tjetër premtim i mbajtur”, që i përket sipas tij, “Paktit për Universitetin” të hartuar nga qeveria pas protestave në fund të vitit të kaluar.
“Sot mund të themi se kemi bërë shumë progres, por krahasuar me ku duhet të shkojmë kemi edhe shumë. Dje një gazetë italiane shkruante se turistët gjermanë kanë zbuluar Shqipërinë dhe kjo është e vërtetë, pasi ka qenë jashtë hartës dhe vëmendjes dhe në pamundësi për të prekur kuriozitetin e të huajve. Sfida është që ata që e prekin të kthehen. Në një gazetë lokale në Gjirokastër, shkruhej se turistët ishin surprizuar në Qafën e Muzinës, për të cilën kishin dëgjuar se ishte një vend që dilnin maskat, ndërsa aty u kishin dalë një grup vajzash dhe djemsh të “Smile Albania“, – tha ai.
Kryeministri e nisi dhe e mbylli fjalimin me një ndjesë për të pranishmit që u detyruan ta prisnin në shi për shkak të vonesës, që Rama tha se ishte objektive.
“Së pari më falni për vonesën. Ishte një pamundësi objektive për të ardhur në orar, që e kam shumë zët, kështu që më falni për këtë. Ju falenderoj për durimin heroik që keni pasur, pasi aktiviteti do të bëhej jashtë, filloi shiu dhe u futët brenda, por këtu jemi shumë, pritja bëhet më e bezdisshme. Ndjesë të sinqertë që ju lashë të prisnit. Dhe bëni qejf” përfundoi ai.