Soreca: M’i nxorën fjalët jashtë kontekstit, qëndrimi im ai i KE

Pas reagimeve të shumta për deklaratat që bëri këtë të hënë për Teatrin Kombëtar,Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, është ndjerë i detyruar të sqarojë edhe një herë opinion publik.

Në rrjetin social “Twitter,” Soreca ka shkruar se fjalët e tij janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe se ka mbajtur të njëjtin qëndrim si Komisioni Europian në shtator për procedurat e prokurimit publik.

Ambasadori shkruan: “Vërej me shqetësim se përgjigjja ime sot mbi një pyetje mbi çështjen e Teatrit Kombëtar është paraqitur jashtë kontekstit. Prandaj është e dobishme të theksohet se sot kam përsëritur qëndrimin e deklaruar në shtatorin e kaluar nga Komisioni Europian, kur autoritetet kompetente shqiptare u ftuan për të ndjekur pajtueshmërinë me parimet e prokurimeve publike të BE-së dhe për të siguruar qasje jodiskriminuese në treg.

Unë gjithashtu deklarova sot se transparenca e procedurave është thelbësore për të siguruar konkurrencë të drejtë dhe të lirë. Unë shtova… se është e nevojshme që të jepet kohë që procedurat institucionale të marrin një vendim për çdo mosmarrëveshje juridike që ekziston në këtë çështje, në respekt të plotë të zbatimit të ligjit. Në fund konkludova duke kujtuar se Delegacioni i BE-së është plotësisht i përkushtuar për të mbrojtur lirinë e shprehjes si të drejtë themelore dhe është gati të vazhdojë dialogun me artistët dhe qytetarët e përfshirë”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT