Thaçi: Nëse Lugina e Preshevës bashkohet me Kosovën, do të ketë stabilitet me Serbinë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se bashkimi i Preshevës, Medvegjës, Bujanocit me Kosovën do ta sjell stabilitetin afatgjatë dhe kontribuon në vendosjen e paqes me Serbinë, shkruan Gazeta Metro.
Thaçi ka deklaruar se kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës me Kosovën është legjitime dhe pajtim me të drejtën ndërkombëtare.
Sipas Thaçit, jetësimi i këtyre kërkesave e ndihmon stabilitetin afatgjatë dhe kontribuon në vendosjen e paqes në rajonin tonë, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Postimi i plotë nga Thaçi:
Kosova, të zgjedhurit e popullit tonë, duhet ta respektojnë vullnetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur me referendumin e vitit 1992 dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sipas vullnetit të tyre të lirë për vetëpërcaktim, janë legjitime dhe në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Jetësimi i këtyre kërkesave e ndihmon stabilitetin afatgjatë dhe kontribuon në vendosjen e paqes në rajonin tonë, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si president i vendit i kam mbështetur vazhdimisht kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por sot i kam dërguar Kuvendit edhe një draft-rezolutë, ku përtej dallimeve politike apo çfarëdo qofshin ato, kam kërkuar që këto kërkesa të mbështeten dhe të miratohen edhe prej të zgjedhurve të popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës./gazetametro.net