Transmetuan këngë të artistes serbe që fyen shqiptarët, AMA i tërheq vëmendje RTSH-së

Ditën e shtunë në kanalin RTSH 2 gjatë orarit të transmetimit me muzikë në gjuhën e pakicave, u transmetuan këngë të këngëtares serbe Ceca, e cila i është bashkuar disa herë publikisht zërave antishqiptarë për Kosovën.
Kjo ka bërë që Autoriteti i Medias Audiovizive t’i tërheqë vëmendje Radio Televizionit Publik Shqiptar:
“Autoritetit të Medias Audiovizive i janë drejtuar një sërë ankesash lidhur me këtë transmetim, dhe pas vlerësimit të rastit RTSH-së i është tërhequr vëmendja për evitimin e rasteve të tilla që krijojnë ndjeshmëri negative tek ndjekësit e programeve të transmetuesit publik.
Në këngët e deklaratat e saj të hershme Ceca ka qenë frymëzuese e krimeve në Bosnje dhe në Kosovë, ka qenë suport për veprimet çnjerëzor të ish bashkëshortit të saj, kriminelit të luftës, Arkanit, dhe grupeve miliatare e paramilitare serbe që ka udhëhequr.
Vetëm pak muaj më parë Ceca ishte në një koncert në pjesën veriore të Mitrovicës, në një performancë artistike të kombinuar me mesazhe politike kundër qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, shprehet AMA.
