“Veting i ri”, Meta kërkon shtyrjen 3 vjet të Reformës në Drejtësi?

Një ditë pas konferencës së shtypit, në të cilën formuloi akuza të pazakonta për gjuhën politike në Tiranë, Meta i është rikthyer reformës në drejtësi.
Ndryshe nga herët e tjera, Presidenti nuk ka përdorur një platformë mediatike apo një konferencë për shtyp, por e ka bërë këtë përmes një dekreti, i cili rikthen në Kuvend për rishqyrtim një ligj me rëndësi të veçantë për ekonominë, atë që rregullon fushën e veprimit të përmbaruesve privatë dhe shtetërorë.
Në relacionin shoqërues, Presidenti jep një propozim që nëse do të aplikohej, do të vononte së paku me tre vjet të tjerë zbatimin e reformës në drejtësi pasi e kushtëzon vijimin e kësaj të fundit me një proces vettingu për përmbaruesit.
Sipas Presidentit, pavarësisht se ligji i miratuar në Kuvend është në përputhje me legjislacionin e shumë vendeve të BE-së dhe rekomandimet e Komisionit Europian për harmonizimin ligjor, në Shqipëri nuk është i nevojshëm vetëm rregullimi i sistemit përmbarimor.
Presidenti çmon që vetë sistemi i përmbaruesve ka nevojë për një proces vetingu më vete, proces i cili duhet të realizohet, sipas tij, paralelisht me reformën në drejtësi.
Deri tani nuk ka pasur plan dhe as ndonjë rekomandim ndërkombëtar, për të kaluar në sitë edhe përmbaruesit e regjistruar në vendin tonë.
Prandaj, që kjo të ndodhë, edhe sikur të aprovohej ky ndryshim, do të duheshin së paku tre vjet, për të miratuar kuadrin ligjor, ngritur institucionet përkatëse e më pas për të nisur zbatimin e vetingut të përmbaruesve.
Tre vjet në rastin më të mirë dhe me kusht që të ekzistojë një vullnet i përbashkët politik, i cili në këtë moment qartësisht nuk ekziston.