DETAJET: Turistët spanjollë u rrahën nga kushërinjtë e Koço Kokëdhimës, ngjarja ndodhi në Porto Palermo, jo në Borsh

Të gjitha mediat raportuan një ditë më parë për rrahjen e disa turistëve spanjollë në Borsh, nga pronarët e një restoranti, pasi nuk iu kishte pëlqyer shërbimi.
Por, ngjarja nuk ka ndodhur në Borsh.
Burime të gazetës TemA nga policia bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur në Porto Palermo, në restorantin me emrin “Panorama”.
Restoranti është në pronësi të kushërinjve të Koço Kokëdhimës.
Aty shërbehet peshk rezervati dhe konsiderohet si një ndër restorantet më të këqinj të zonës.
Turistët spanjollë natyrisht nuk e kanë ditur këtë gjë dhe kur kanë parë cilësinë e ushqimit dhe shërbimit, janë larguar.
Policia ndërkohë, ka reaguar me një deklaratë për ngjarjen.
Njoftimi i policisë
Në lidhje me konfliktin me turistët spanjollë, arrestohet në flagrancë shtetasi:
M.K., 51 vjeç, banues në Sarandë.
Policia e Sarandës në bashkëpunim me Policinë e Himarës, pas hetimeve të kryera në lidhje me konfliktin e djeshëm në një lokal të Himarës, kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 51 vjeçarit pasi:
Ditën e djeshme, në lokalin e tij Bar-Restorant në Porto Palermo të Himarës, shtetasi M.K., për motive të dobëta ka kanosur me fjalë një grup turistësh spanjollë dhe më pas ka dëmtuar mjetin e transportit privat të tyre dhe është konfliktuar fizikisht me ta duke u shkaktuar dëme në trup, por më shumë është dëmtuar shtetasia spanjolle K.R.
Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprat penale “Kanosja”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”.